VV-ja krenohet me liberalizimin e vizave, PDK e LDK thonë s’e kjo Qeveri s’ka merita

Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron si meritë të kësaj Qeverie dhe aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndërkohë, të kundërtën e thonë dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës

Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron si meritë të kësaj Qeverie dhe aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndërkohë, të kundërtën e thonë dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas PDK-së e LDK-së, me fajin e mazhorancës ka humbur momentumi që Kosova ta fitojë liberalizimin qysh në vitin 2016, pasi kjo parti sa ishte në opozitë e kundërshtonte demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetja e Listës “Guxo” dhe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci konsideron se Kosova ka më shumë stabilitet se çdo vend tjetër i rajonit. Ajo thotë se heqja e regjimit të vizave ka ardhur si rezultat i përmirësimit në raport me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

“Mund të them se aktualisht përqendrimi dhe fokusi në këtë demokracinë tonë të re po e përcjell edhe elementet tjera që flasin për forcimin e demokracisë si demokracia më e fortë në gjithë rajonin, duke e marrë për bazë edhe çështjen e qëndrueshmërisë financiare dhe performancës ekonomike të cilat japin një stabilitet më të lartë se sa pjesa tjetër e rajonit, përmirësimi në raport me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, janë sinjale shumë pozitive të cilat janë mirëpritur edhe nga ana e eurodeputetëve, besoj që tani janë përcjellë edhe tutje në mekanizmat të cilët janë në kuadër të BE-së, andaj këtu shohim edhe suksese të cilat përfshijnë edhe liberalizimin e vizave edhe hapin e parë karshi Këshillit të Evropës, i cili në pilar ka çështjen e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit si dhe demokracisë”, ka thënë Statovci për EO.

Deputetja e Listës “Guxo”, Jeta Statovci

Por deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës, e quan lajm të mirë, por që kërkon më shumë punë drejt anëtarësimit në KiE.

“Natyrisht që aplikimi për Këshill të Evropës dhe fakti që Kosova e ka kaluar një raund të parë, është lajm i mirë për Kosovën dhe natyrisht duhet t’i gëzohemi të gjithë edhe pse është vetëm fillimi i një angazhimi. Ju e keni parë edhe angazhimin e shteteve dhe na mbetet ende punë për të bërë që ne ta mbërrijmë anëtarësimin në këtë mekanizëm të rëndësishëm”, u shpreh Deliu-Kodra për EO, teksa fajëson VV-në për vonesat në liberalizimin e vizave.

“Ndërkohë për çështjen e vizave, unë konsideroj që ka qenë një padrejtësi e madhe që iu është bërë Kosovës. Ne në vitin 2016 i kemi përmbushur të gjitha kriteret. Nuk është çështje e meritave, sa që është e dhimbshme që qytetarët e Kosovës për kaq vite kanë jetuar të izoluar nga një e drejtë e cila padrejtësisht iu është mohuar Kosovës. Në vitin 2016. vendimi ka qenë politik, arsyetimi i BE-së ka qenë që është marrë nga Këshilli i Ministrave, dhe natyrisht që zhvillimi i rrethanave të reja, fakti që ne për tri vite e kemi humbur një momentum që e kemi prolonguar demarkimin e kufirit me Malin e Zi, dhe për këtë ka një përgjegjësi por po e them se nuk mund të bëhet fjalë për merita sepse padrejtësisht janë privuar nga një e drejtë qytetarët e Kosovës”, ka shtuar Deliu-Kodra.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra

Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, vonesat për liberalizimin e vizave për kosovarët ka ardhur si pasojë e kundërshtive të Demarkacionit me Malin e Zi.

Thotë se Vetëvendosja e ka shtyrë edhe më shumë procesin e liberalizimit.

“Jo aspak nuk ka merita e sidomos sa i përket liberalizimit të vizave, sepse në vitin 2015-16, Kosova ka qenë në pak me Gjeorgjinë dhe Ukrainën në çështjen e liberalizimit të vizave, ndërsa në atë kohë ka qenë marrëveshja e Demarkacionit ku kjo parti sa ka qenë në opozitë ka bërë protesta të dhunshme, gjithashtu në Kuvend ka hedhur gaz lotsjellës kundër kësaj marrëveshje. Pra kjo (VV) vetëm e ka shtyrë procesin e liberalizimit të vizave, mirëpo tani ka ardhë një momentum tjetër duke e ditur luftën në Ukrainë dhe pak a shumë edhe marrëveshja e cila është dakorduar në Ohër, pra këto dy procese siç duke kanë lidhje me marrëveshjen”, ka thënë Krasniqi për EO.

Rrezarta Krasniqi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës

 

Shija e redaktorit

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Osmani: Historia e nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur mbi historinë e nënës Ferdonije Çerkezi, e cila ka humbur katër djemtë e saj dhe bashkëshortin gjatë...

Të fundit nga rubrika