Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas operacionit të njësitit antidrogë të Policisë së Kosovës, i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe INTERPOL-in, që rezultoi me arrestimin e 22 personave të dyshuar për trafikim me narkotikë.

Në mesin e të arrestuarve është edhe emri i Shemsi Bahtirit, për të cilin mediat raportuan se kishte lidhje me këtë parti politike.

VV-ja ka thënë se mbështet aksionin e institucioneve të rendit kundër rrjetit të drogës, duke inkurajuar qytetarët dhe anëtarët e saj të denoncojnë çdo veprimtari të tillë.

“Si Lëvizje VETËVENDOSJE! jo rrallë herë kemi bërë denoncime të tilla përmes anëtarëve e aktivistëve tanë. E njëjtë do të vijojmë të bëjmë,” thuhet në reagim.

Lidhur me raportimet për përfshirjen e personit të afërt me VV-në në këtë rast, VV-ja ka bërë të ditur se menjëherë pas publikimeve në media ka ndërmarrë veprime të brendshme.

“Pas këtij informacioni ne menjëherë kemi verifikuar emrin për të parë nëse i njëjti ekziston në databazën tonë. Në këtë mënyrë, për korrektësi, në përputhje me Statutin dhe rregullat e brendshme, Komisioni ynë disiplinor ka marrë vendim për largimin e personit me emrin e njëjtë”, thuhet tutje në njoftim.

VV-ja bën të ditur se ky vendim do të mbetet në fuqi deri në sqarimin dhe verifikimin e plotë të identitetit të personit nga organet kompetente.