VV-ja përsëri e bojkoton seancën e Kuvendit, kritikohet nga partitë opozitare
Kuvendi i Kosovës, kishte planifikuar që në seancën e sotme të ishte në rend dite miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian, e datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës. Kjo rezolutë ishte paraqitur nga grupi parlamentar i AAK-së. Por, edhe […]
Kuvendi i Kosovës, kishte planifikuar që në seancën e sotme të ishte në rend dite miratimi i Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian, e datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.
Kjo rezolutë ishte paraqitur nga grupi parlamentar i AAK-së.
Por, edhe kësaj here Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë në koalicion, e kanë bojkotuar këtë seancë, edhe pse sipas Besnik Tahirit nga AAK-ja, në kryesinë e Kuvendit ishin marrë vesh ndryshe.
Tahiri tha se VV-ja po frikësohet të ballafaqohet me deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Fatkeqësisht edhe sot po shihet që shumica parlamentare po e bojkoton kuvendin edhe kur ka tema që drejtpërdrejt ndërlidhen me interesin e përgjithshëm dhe jo me ndonjë betejë politike. Në takimin e kryesisë pati dakordim të plotë me grupet parlamentare për ta mbajtur seancën ku do jepej mbështetje PE-së, i cili në 28 pika ka bërë përgjejgëse të drejtpërdrejt Serbinë për sulmin në Banjskë. Rezolutë që shkon përtej dhe e dënon gjykatën që e liroi Radojciqin, shkon tutje dhe e dënon Serbinë për lidhjen e saj politike dhe institucionale me Rusinë dhe Kinën, shkon tutje dhe e dekonspiron politikën e Serbisë me pozicionin e BE-së ndaj sanksioneve për Rusinë”, tha ai.
“Nuk është koha për një betejë të ulët mes pozitës dhe opozitës, qëllimi është që si kuvend ta bëjmë një veprim së paku të shprehim një falënderim dhe të konfirmojmë qëndrimin tonë politik në raport me rezolutën e PE-së. E shoh si një veprim të papërgjegjshëm, si pamaturi, e shoh edhe si një frikë nga VV mos me u ballfaqu me Kuvendin, nuk e di pse s’janë këtu, e pse nuk janë këtu”, vijoi ai.
Kritika ndaj pushtetit pati edhe nga PDK-ja. Blerta Deliu-Kodra, tha se partia e saj i jep mbështetje kërkesës së AAK-së, në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian, e cila e dënon Serbinë për agresionin ndaj Kosovës
“PDK i jep mbështetje të plotë iniciativës së AAK-së, që Kuvendi t’i japë mbështetje rezolutës së PE-së. E cila e dënon sulmin terrorist, kërkon që Seria të hetojë këtë ngjarje, bën përgjegjëse Serbinë dhe shpreh nevojën për dënimin e Serbisë…”, tha ajo.
Deliu-Kodra, tha se Qeveria e Kosovës nuk e ka shfrytëzuar si duhet sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
“Shteti i Kosovës, diplomacia, nuk e kanë shfrytëzuar e kapitalizuar si duhet, në mënyrë që pozicioni në dialog me Serbinë të faktorizohet. Fitorja e policisë nuk arriti të përkthehet si fitore në dialog. Kjo u reflektua edhe në dialogun në Bruksel…”, tha ajo.
Sipas saj Kurti i ka bërë dëme të pariparueshme vendit me pranimin e draftit të Asociacionit të propozuar nga BE-ja.
Ndërkaq Arben Gashi nga LDK, po ashtu tha se nuk e kupton sjelljen e pushtetit dhe bojkotin e seancës së thirrur nga opozita.
“Është e paqartë edhe ky koment dhe sjellje e pushtetit. Rezoluta mbështetet me mospjesëmarrje. S’kam qenë në kryesi, kjo seancë është thirr me dakordim të plotë me pushtetin me VV-në, e cila mungon. Sjellja politike është gabim. Po dukemi qesharak”, tha ai.
Ai e komentoi edhe takimin e Kurtit mbrëmë në Bruksel me liderët evropianë.
Gashi tha se Kurti e ka pranuar Asociacionin e propozuar nga BE-ja, dhe e kritikoi atë për mostransparencë e moskonsistencë.
“Ka shumë zhvillime që kanë ndodhë në 48 orët e fundit, që nuk jemi të njoftuar pse ka ndodhë çfarë ka ndodhë. Kemi sjellje të qeverisë, i cili refuzon të bashkëpunoj, duke shkaktuar efekt të reagimi negativ deri në sanksione… Me atë cka pamë, Kurti ka pranuar një draft të statutit të Asociacionit, kështu deklaroi ai. Cka ndodhi nga data 24, Asociacioni që u konsiderua i papranueshëm u shndërrua në të pranueshëm. Asociacioni për të cilin u vranë njerëz, u bë i pranueshëm. Kurti duhet të vijë në kuvend të raportoj”, tha ai.















