Weber: Pa kthimin e serbëve në institucione s’mund të ketë zbatim të marrëveshjeve

Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin

Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, mendon se Kosova dhe Serbia do ta kenë të vështirë ta zbatojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel, me situatën aktuale në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Weber thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian bëri gabim kur arriti një marrëveshje mes dy shteteve në fillim të këtij viti, pasi shumica e serbëve të Kosovës në veri u dorëhoqën nga institucionet nga nëntori i vitit të kaluar dhe ende nuk ka plan për rikthimin e tyre.

“Pa u zgjidhur kjo çështje, mendoj se nuk do të shohim zbatim të marrëveshjes bazë dhe kjo është ajo që po shohim, jo vetëm nga (Marrëveshja e) Brukselit, por edhe nga marrëveshja për Aneksin e Zbatimit në Ohër”, tha Weber.

Kosova dhe Serbia, aktualisht, janë duke diskutuar për çështjen e themelimit të një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe.

Më 2 maj, Qeveria e Kosovës refuzoi një draft-statut që iu prezantua për këtë Asociacion, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, propozoi një “draft-vizion” të tij për këtë qëllim, gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Vizioni i tij, siç thotë Kurti, bazohet në një model kroat për pakicat kombëtare dhe siç tha më 11 maj, ai është i interesuar që të bashkëpunojë “për ta shkruar e definuar edhe më tutje këtë vizion për komunitetin serb në Kosovë”.

Duke e komentuar këtë propozim të Kurtit, Weber thotë se problemi nuk qëndron te një model apo tjetër i Asociacionit, por tek i gjithë koncepti i një bashkimi njëetnik me rrezik të keqpërdorimit nga Serbia.

“Kjo është sfida që nuk mund të zgjidhet nga asnjë model. Pra, duhet të gjendet një rrugë e mesme në mes të implementimit të kësaj ideje (të Asociacionit), por duke e bërë në diçka që mundet në të vërtetë të forcojë qeverisjen lokale, por edhe diçka që nuk ndërtohet në një formë që në të ardhmen mund të përdoret si një vegël për Serbinë që të përzihet në çështje të brendshme të Kosovës”, thotë ai.

Sipas Weberit, arsyeja pse Asociacioni si i tillë mund të shkaktojë problem është për faktin se serbët e Kosovës (shumica) udhëhiqen nga një parti- Lista Serbe- e cila ka lidhje të njohura me Beogradin.

Ai thotë se demokratizimi i politikës së këtij komuniteti duhet të bëhet me intervenimin e Perëndimit./REL

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika