Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, e ka mirëpritur aktgjykimin e shpallur sot në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar atë si “të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë dhe si drejtësi të vonuar për viktimat”.
Në reagimin e saj, West ka theksuar se në këtë proces gjyqësor nuk është ndjekur penalisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe as lufta për pavarësinë e Kosovës.
“Vendimi i sotëm, që bazohet vetëm në fakte dhe ligj, është i rëndësishëm për vënien para përgjegjësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht rangut apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare. ZPS-ja bën përgjegjës individë për veprimet e tyre, në përputhje me mandatin e saj, asgjë më shumë. ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, as luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës”, thuhet në reagimin e West.
Ajo ka bërë të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar do ta shqyrtojë të plotë aktgjykimin gjatë ditëve në vijim, përfshirë edhe gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit, për të cilat nuk pati dënime.