Emisarët specialë të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë mbërritur të shtunën në Moskë, raportojnë mediat shtetërore ruse. Ata pritet të diskutojnë mundësitë për përfundimin e luftës në Ukrainë, e cila tashmë ka hyrë në vitin e pestë.
Në aeroportin Vnukovo ata janë pritur nga Kirill Dmitriev, përfaqësuesi special i presidentit rus Vladimir Putin, sipas mediave shtetërore, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Pas vizitës në kryeqytetin rus, Witkoff dhe Kushner pritet të udhëtojnë drejt Kievit, duke shënuar vizitën e tyre të parë në kryeqytetin ukrainas.
Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të shtunën se dy aeroporte pranë Kievit ishin goditur nga raketat ruse, përfshirë aeroportin e Borispolit, i cili më parë shërbente për fluturimet ndërkombëtare.
“Është e qartë se këto sulme ruse ndaj aeroporteve janë reagim ndaj diskutimeve dhe përgatitjeve lidhur me mundësinë që pala amerikane të përdorë një avion për të mbërritur në Ukrainë”, tha Zelensky.
Që nga fillimi i luftës, liderët e huaj kanë udhëtuar drejt Kievit me tren nga Polonia. Ende nuk është e qartë nëse sulmet e raportuara ruse do të ndikojnë në planet e delegacionit amerikan.
Misioni amerikan zhvillohet në një kohë kur kryeqyteti ukrainas po përballet me sulme pothuajse të vazhdueshme me raketa ruse. Të premten, një raketë goditi drejtpërdrejt selinë e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, SBU, në Kiev.
Zelensky ka paralajmëruar se mungesa e madhe e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore e ka lënë Ukrainën të pambrojtur ndaj sulmeve me raketa balistike.
Presidenti Trump i përshkroi Witkoff dhe Kushner si “negociatorë të mëdhenj” gjatë një deklarate në Shtëpinë e Bardhë të premten, duke thënë se dërgimi i tyre në Moskë synon të “shohim nëse mund të arrijmë diçka”.
Megjithatë, zyrtarët rusë kanë dhënë sinjale se Moska nuk është e gatshme për kompromis.
“Administrata amerikane duhet të marrë parasysh realitetet në terren sa i përket zgjidhjes së çështjes ukrainase, ku situata po ndryshon jo në favor të Kievit”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov për agjencinë shtetërore ruse TASS.
Ryabkov sugjeroi se Ukraina po përballet me vështirësi në fushëbetejë dhe se Shtetet e Bashkuara duhet ta marrin parasysh këtë situatë.
Një brez qytetesh të rëndësishme industriale në rajonin lindor të Donetskut po përballet me kërcënim në rritje nga forcat ruse, të cilat kanë avancuar gradualisht gjatë muajve të fundit.
Zelensky e ka mirëpritur mundësinë e vizitës së Witkoff dhe Kushner në Kiev, e planifikuar për të dielën.
“Qëllimi ynë është që vizita dhe negociatat me palën amerikane të jenë sa më konstruktive dhe përmbajtësore. Duhet të kërkojmë mundësi realiste se si t’i japim fund kësaj lufte”, tha Zelensky të premten.
Witkoff dhe Kushner nisen për Moskë e Kiev, Trump: Kemi një ide për paqen