Në Kongresin Zgjedhor të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), të mbajtur më 2 dhe 3 qershor në Budapest, për herë të parë në historinë e kësaj organizate, një përfaqësues nga Kosova është zgjedhur anëtar i Bordit Drejtues të saj.

Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, u zgjodh në këtë pozitë, duke shënuar një moment historik për përfaqësimin e gazetarëve të Kosovës në nivel evropian.

Siç ka njoftuar AGK-ja, në këtë takim, i cili u mbajt për herë të parë në Hungari, morën pjesë mbi 120 gazetarë dhe përfaqësues sindikalë nga 38 vende të Evropës. Gjatë kongresit u zgjodhën 7 nga 11 kandidatët për anëtarë të Komitetit Drejtues të EFJ-së për një mandat trevjeçar.

Përveç Rexhës, në Bordin Drejtues të EFJ-së u zgjodhën edhe:

Andrea Roth (DJV, Gjermani)

Allan Boye Thulstrup (DJ, Danimarkë)

Renske Heddema (NJV, Holandë)

Antonis Repanas (ESIEMTH, Greqi)

Aise Banu Tuna (TGS, Turqi)

Sergiy Tomilenko (NUJU, Ukrainë)

Presidentja e re e EFJ-së u zgjodh Maja Server, ndërsa zëvendësi i saj është Pablo Auiqel Garbarini nga Franca.

Bordi Drejtues është organi më i lartë ekzekutiv i Federatës Evropiane të Gazetarëve, e cila përfaqëson rreth 300 mijë gazetarë në gjithë kontinentin. Ky bord ka për detyrë mbikëqyrjen e politikave, miratimin e buxheteve dhe drejtimin strategjik të organizatës, me qëllim mbrojtjen e interesave të gazetarëve në nivel evropian.