“UDB-ja ka pasur në mesin tonë njerëz.” Kështu ka deklaruar Ali Ahmeti, duke rrëfyer një nga episodet më të dhimbshme të veprimtarisë së tij politike në Kosovë gjatë viteve ’80.
Në një intervistë me Ermal Pandurin në ciklin ”Dosjet” në Debat Plus, Ahmeti ka treguar se strukturat e UDB-së kishin arritur të rekrutonin persona brenda grupeve të studentëve dhe organizatorëve të protestave, duke siguruar informacione për aktivitetet e tyre.
Sipas Ahmetit, një nga rastet që i kishte bërë të dyshonin ishte ai i Selim Broshës. Ai rrëfeu se gjatë një takimi të studentëve të Fakultetit Ekonomik, ku po diskutohej organizimi i një proteste për afatin e nëntorit, Brosha ishte shfaqur papritur dhe u kishte bërë thirrje studentëve të mos rrezikonin.
“Djema, mos rrezikoni, rrini urtë, ju jeni djem të mirë”, kujtoi Ahmeti fjalët e Broshës.
Por ajo që i kishte habitur organizatorët, sipas tij, ishte fakti se Brosha dukej se e dinte për takimin përpara se informacioni të bëhej publik.
“Ne na çuditi prej nga Selim Brosha ka ditur takimin që po mbahet”, tha Ahmeti.
Ai tregoi se më vonë ishte zbuluar se brenda grupit kishte një person që, sipas tij, kishte informuar strukturat e sigurisë.
I pyetur drejtpërdrejt nga Panduri se kush ishte personi, Ahmeti ka thënë se ishte “Xhevat Kastrati.”
Ahmeti tha se e vërteta ishte zbuluar pas arrestimeve dhe pas demonstratave të vitit 1981. Ai pranoi se zbulimi i identitetit të personit që dyshohej se ishte infiltruar në grup ishte përjetuar me dhimbje të madhe.
“Sigurisht, me dhimbje të mëdha shumë”, tha Ahmeti.
Sipas tij, Xhevat Kastrati nuk ishte i vetmi person për të cilin ekzistonin dyshime.
“Sigurisht që nuk ka qenë i vetmi. Ka pasur edhe të tjerë”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se nuk dëshiron të flasë për persona të tjerë për të cilët nuk ka përjetim ose informacion të drejtpërdrejtë.
Në vijim të intervistës, Ahmeti e lidhi këtë rrëfim edhe me arrestimet e veprimtarëve shqiptarë dhe me informacionet që, sipas tij, ishin përcjellë te strukturat e sigurimit.
Ai përmendi edhe Bajram Kosumin, duke deklaruar se arrestimet dhe goditja ndaj grupit të tyre kishin ardhur si rezultat i informacioneve që ishin dhënë nga Xhevat Kastrati.
“Bajram Kosumi është si rezultat i spiunimit që i ka bërë informacioneve që i ka dhënë, edhe për grupin tonë të gjithë, që i ka dhënë Xhevat Kastrati, për fat të keq”, tha Ahmeti.
Rrëfimi i Ahmetit sjell një dëshmi të fortë mbi mënyrën se si strukturat e UDB-së kishin depërtuar në radhët e organizatorëve shqiptarë dhe se si informacionet e marra nga brenda mund të kishin çuar në arrestime dhe ndjekje.