Lamine Yamal i ka shkaktuar shqetësim të madh Barcelonës dhe kombëtares së Spanjës, pasi u detyrua të largohet nga loja menjëherë pasi shënoi nga penalltia në fitoren 1-0 ndaj Celta Vigo.
Sipas burimeve të klubit për ESPN, dyshimet e para janë për një çarje në muskulin e kofshës (hamstring), por shkalla e lëndimit dhe kohëzgjatja e mungesës do të konfirmohen pas ekzaminimeve mjekësore.
Nëse lëndimi konfirmohet serioz, 18-vjeçari mund të humbasë pjesën e mbetur të sezonit me Barcelonën, ndërsa vëmendja do të zhvendosej te Botërori i verës, ku ai pritej të ishte një nga lojtarët kyç të Spanjës.
“Duhet të presim. Ka diçka, e ndjeu. Nuk do të dilte nga fusha pa arsye,” tha trajneri Hansi Flick pas ndeshjes.
Yamal fitoi dhe realizoi penalltinë në minutën e 40-të, por në vend që të festonte, u rrëzua në tokë dhe kërkoi menjëherë ndihmën e stafit mjekësor. Pamjet treguan se ai po mbante pjesën e pasme të kofshës.
Pas trajtimit në fushë, ai u largua në këmbë, por nuk mundi të vazhdojë lojën dhe u zëvendësua nga Roony Bardghji para përfundimit të pjesës së parë.
“Shpresojmë që Lamine të mungojë vetëm disa javë,” tha mesfushori Pedri.
Barcelona mori një tjetër goditje, pasi edhe João Cancelo u largua i dëmtuar në minutën e 24-të.
Pavarësisht kësaj, Barcelona fitoi 1-0 dhe kryeson me nëntë pikë më shumë se Real Madrid, gjashtë javë para fundit të sezonit. Dy rivalët do të përballen në “El Clásico” më 10 maj.
Yamal këtë sezon ka zhvilluar 45 ndeshje në të gjitha garat, pavarësisht problemeve të herëpashershme me një hernie sportive.