Ylli i tenisit, Sergiy Stakhovsky është kthyer në vendlindjen e tij në Ukrainë, duke lënë familjen e tij në Hungari, për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit, në luftën e cila po shkaktohet nga forcat ruse.
Stakhovsky, katër herë fitues i titujve të ATP-së, kishte thënë për CNN-in se ishte duke pushuar me familjen e tij në Dubai, kur Rusia filloi pushtimin.
Pikërisht atëherë, ai vendosi të linte familjen, gruan dhe tre fëmijët e tij në Hungari, dhe t’i bashkohej luftës si pjesëtar i rezervistëve të ushtrisë së vendit të tij.
Kanë kaluar mbi tri javë, që kur ai është rikthyer në Ukrainë dhe i është bashkuar brigadës territoriale, si luftëtar vullnetar, në një patrullë ushtarake në Kiev, për të cilin ai zotohet se do ta mbrojë ”deri në fund’’ përballë forcave ruse.
Megjithëse Stakhovsky nuk ka përvojë ushtarake, ka thënë se ka ”eksperiencë me një armë private”.
“Nëse do të qëndroja në shtëpi, do të ndihesha në faj. Kam lindur këtu, gjyshërit e mi janë të varrosur këtu dhe do të doja të kisha një histori për t’u treguar fëmijëve të mi. Askush këtu nuk dëshiron që Rusia t’i çlirojë ata, ata kanë liri dhe demokraci”, duke shtuar se “Rusia dëshiron të sjellë dëshpërim dhe varfëri”, për ukrainasit ka thënë Stakhovsky.
Stakhovsky, gjithashtu ka thënë për CNN se ai dhe gruaja e tij nuk u kishin treguar fëmijëve të tyre për vendndodhjen e tij.
“Gruaja ime nuk u tha atyre, po ashtu as unë, se ku po shkoja. Unë mendoj se ata do ta kuptojnë së shpejti”, deklaroi ai.
Tutje, ai flet edhe për familjarët e tij duke treguar se si janë duke jetuar tani nën sulmet ruse.
“Babai dhe vëllai im janë kirurgë, ata janë të stresuar, por unë flas me ta shpesh – ata flenë në bodrum. Asnjëri nga ne nuk besonte se kjo mund të ndodhte, dhe megjithatë ndodhi”, përfundoi ai.
Në vitin 2013, Stakhovsky bëri emër në tenis, duke eleminuar kampionin në fuqi, Roger Federer, nga turneu Wimbledon.