Analisti Visar Ymeri, i ka zbërthyer deklaratat e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, ku ka thënë se deklaratat e Escobar-it janë si një komunikim me qytetarët e Kosovës.

“Escobar fillimisht është marrë me çështjen e sigurisë, edhe ka folur për kërkesën e Serbisë për t’i dërguar një mijë trupa në Republikën e Kosovës, ka thënë se kjo kërkesë është e papranueshme, edhe ka thënë se ka garanci të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe nuk ka thënë nga NATO”.

Sipas Ymeri, kjo deklaratë tregon që të mos ketë frikë nga evazioni i ushtrisë serbe në Kosovë, sepse nuk ka gjasa përderisa ShBA-ja është këtu.

“Këto deklarata janë të qeverisë së ShBA-ve edhe nuk ka rëndësi se si ka emrin a Escobar apo ndonjë emër tjetër”, ka theksuar Ymeri.

Tutje, ai ka thënë se Escobari ia ka bërë të qartë Qeverisë së Kosovës se serbët lokalë  kanë kërkesa që duhet t’i plotësohen, ku njëra prej tyre, është Asociacioni i Komunave me Shumicës Serbe.

“Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk do të jetë me mekanizëm, i cili i mbivendoset Kosovës, që bie që nuk është një shtet i pavarur brenda Kosovës që i mbivendoset institucioneve të Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas Ymerit, në nenin 7 të planit franko-gjerman është definuar se çkado që të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, sipas këtij nenin, ASK-ja do të bëhet pjesë e institucioneve të Kosovës.

Më tej, Ymeri ka treguar se Escobari po kërkon një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për serbët e Kosovës.

“Kujdes, aty thuhet për serbët si komunitet, i cili duhet të ofrojë shërbime të caktuar edhe i cili ofron një kanal të diskutimit në mes të komunitetit serbe dhe Qeverisë së Kosovës, të trija këto atribute të Asociacionit me Shumicë Serbe, me një fjalë Escobar, po thotë se niveli lokal i qeverisje që kanë serbët nuk është i mjaftueshme, duhet me krijuar diçka të re që avancon këtë të drejtë të vetëqeverisjes, për të cilën do arsyeje që po kërkojnë në mënyrë që ajo të jetë në përputhjeje me funksionalitetin e Republikës së Kosovës, por duke i adresuar kërkesat e komunitetin serb”, ka deklaruar ai.

Ai ka përfunduar duke thënë se Veriun nuk mundesh ta qeverisësh me polici sepse ” nuk të lejon, as nuk ke kapacitete edhe për të qeverisur në tërë territorin e Kosovës, duhet të biesh dakord me qytetarët, të cilët jetojnë Kosovë”.