Analisti Visar Ymeri vlerëson se, ndonëse në aspektin formal sjellja e partive politike nuk ka ndryshuar shumë nga fillimi i vitit, sfida kryesore për formimin e një koalicioni mbetet situata e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Duke folur për mundësinë e një marrëveshjeje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, Ymeri tha se problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e një zëri unik brenda partisë, por te thellimi i përçarjeve të brendshme.
“Nëse e sheh formalisht sjelljen e politikanëve, nuk ka shumë dallim nga ajo e fillimit të vitit. Takimet po thirren në fund dhe diskutimet po zhvillohen para afateve. Ajo që ka ndryshuar është beteja brenda LDK-së për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje”, deklaroi ai.
Sipas Ymerit, edhe pse të dy krahët kryesorë në LDK kanë qenë në parim të hapur për një koalicion me LVV-në, situata tani është bërë më e ndërlikuar.
“Problemin e shoh te LDK. Situata brenda është më e acaruar. Tash është më problem t’i bësh bashkë palët për një interes të caktuar të partisë, edhe nëse ata e shohin atë si interes të LDK-së. Zemërimi ndaj kryetarit, për arsye politike dhe të pushtetit, është më i madh se sa ka qenë në të kaluarën”, tha ai.
Ymeri shtoi se kjo do të thotë se disa prej figurave të LDK-së mund të jenë në favor të një koalicioni me Vetëvendosjen, por jo domosdoshmërisht pajtohen me mënyrën se si do të arrihej ai.
“Fundja, politika është luftë për pushtet. Çdo përpjekje politike është luftë për pushtet, qoftë brenda partisë apo mes partive”, u shpreh ai.
Sipas analistit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka shumë të vështirë ta stabilizojë situatën e brendshme dhe të sigurojë një shumicë të unifikuar në parti.
“Abdixhiku duhet të jetë i gatshëm ta ndajë pushtetin me një, dy apo më shumë grupe brenda LDK-së. Një element tjetër i rëndësishëm është edhe çështja nëse LDK-ja ka hequr dorë apo jo nga pozita e presidentit”, përfundoi Ymeri.