Zbulohet paleoliti për herë të parë në Kosovë

Lokaliteti arkeologjik i Verbocit në Drenas më i vjetëri në Kosovë. Zbulohen gjurmët e para të paleolitit për herë të parë në Vërboc të Drenasit, 70.000 p.e.s.

Një hulumtim arkeologjik në fshatin Verboc të Drenasit mund të sjellë dëshmi të rëndësishme për periudhën e Paleolitit në Kosovë. Në këtë lokalitet po zhvillohen kërkime nga studiues të Universitetit të Tübingenit të Gjermanisë, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës.

Kërkimet në terren kanë nisur që nga viti 2021, ndërsa gjatë punës së vazhdueshme studiuesit pretendojnë se kanë identifikuar gjurmë që mund t’i përkasin Paleolitit. Vlerësimet e para sugjerojnë se këto gjurmë mund të jenë rreth 25 mijë deri në 70 mijë vjet të vjetra, ndërsa datimi përfundimtar do të përcaktohet përmes analizave të mëtejshme shkencore.

Në hulumtim është i përfshirë edhe profesori i Universitetit të Tübingenit, Harald Floss, i njohur për punën e tij në fushën e Paleolitit, ndërsa nga Instituti Arkeologjik i Kosovës hulumtimet në terren udhëhiqen nga arkeologu Luan Gashi. Pjesë e ekipit është edhe arkeologu nga Drenasi, Sami Haziraj.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me nënkryetarin Arben Shala, kanë vizituar lokalitetin në Verboc, ku janë njohur nga afër me punën e studiuesve dhe rezultatet e deritanishme.

“Është jashtëzakonisht interesante të shohësh se në tokën e Drenasit mund të ruhen gjurmë që na çojnë dhjetëra mijëra vite prapa në historinë e njerëzimit. Verboci po dëshmon se trashëgimia jonë është shumë më e thellë dhe më e pasur sesa ajo që kemi njohur deri më sot”, ka deklaruar Lladrovci.

Ai ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së studiuesve vendorë dhe ndërkombëtarë në këtë projekt, duke shprehur gatishmërinë e komunës për të mbështetur punën shkencore.

“Jemi të lumtur që në këtë hulumtim është i përfshirë edhe arkeologu ynë, Sami Haziraj, si dhe studiuesit nga Universiteti i Tübingenit dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës. Komuna e Drenasit do të vazhdojë të mbështesë punën shkencore dhe institucionale për dokumentimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie”, ka thënë ai.

Rezultatet përfundimtare të hulumtimeve pritet të japin përgjigje më të qarta për moshën, natyrën dhe rëndësinë e gjetjeve në Verboc. Nëse konfirmohen nga analizat shkencore, lokaliteti mund të përbëjë një dëshmi të rëndësishme për historinë e hershme njerëzore në territorin e Kosovës.

Të fundit nga rubrika