Zbulohet tjetër varrezë masive në Bucha

Edhe një varrezë tjetër masive me kufomat e civilëve ukrainas është zbuluar në Bucha në afërsi të Kievit, ka njoftuar komandanti i policisë së Kievit, Andri Nebitov. Ndërsa, një numër i madh viktimash janë gjetur që nga fillimi i pushtimit rus, prej të cilëve 1 mijë e 200 trupa ende nuk janë identifikuar

Oblast i Kievit 13.06.2022 Në vendin e varrit masiv më të fundit Foto Policia Rajonale e Kievit

Një tjetër varr është zbuluar në afërsi të fshatit të Buchas, Myrotske, në afërsi të rajonit të Kievit, ku ushtria ruse ishte pozicionuar ndërsa përparonte në Kiev. Andriy Niebytov, kreu i policisë rajonale të Kievit, ka raportuar të hënën se varri masiv përmbante trupat e shtatë civilëve, të gjithë të qëlluar në kokë. Shumë prej tyre i kishin duart e lidhura dhe ishin të qëlluar me armë deri në gjunjë.

Tashmë po punohet për identifikimin e viktimave. Këshilli i Qytetit të Bucha-s ka njoftuar se testet e ADN-së do të ishin të disponueshme falas për të afërmit e të vrarëve ose të zhdukurve nga Bucha.

Edhe para 13 qershorit, më 29 prill, në zonën pyjore të rajonit të Bucha-s ishte gjetur varri i tri viktimave të tjera, të cilët rusët i kishin torturuar përpara se t’i vrisnin.

Niebytov ka raportuar atëherë se trupat e tyre ishin shumë të shpërfytyruar për t’u identifikuar, përveç nga ADN-ja.

Oblast i Kievit, 13.06.2022 Në vendin e varrit masiv, foto Policia Rajonale e Kievit

Ndërsa, më 16 maj, Niebytov ka raportuar se një tjetër varr i improvizuar ishte gjetur pranë Makarov në rajonin Bucha, ku ishin vendosur rusët. Në atë varr ishin gjetur trupat e tre civilëve që besohet se janë qëlluar nga rusët, mes tyre një shtetas çek 49-vjeçar, i cili më parë kishte punuar si shofer në distanca të gjata, por që shërbeu në Ukrainë si vullnetar, pasi Rusia filloi pushtimin e saj total. Trupat e dy burrave të tjerë, të dy me veshje civile, nuk ishin identifikuar.

Policia gjeti, gjithashtu, trupin e një banori tjetër lokal, i cili ishte qëlluar me armë zjarri në afërsi të fshatit Rakivka. Burri ishte një oficer policie në pension, të cilin rusët e detyruan të zhvishej para se ta vrisnin.

Më 5 qershor, ishte gjetur kufoma e një 41-vjeçari ukrainas i vrarë nga një plumb në pjesën e pasme të kokës. Burri, me origjinë nga Volynia në Ukrainën perëndimore kishte ardhur për të punuar në rajonin e Kievit vitin e kaluar dhe ishte zhdukur gjatë okupimit të forcave ruse.

Gjashtë ditë më parë, më 29 maj, Policia Rajonale e Kievit ka raportuar se, në të njëjtën zonë pyjore pranë Vyshehrad, ata kishin zhvarrosur trupin e një burri që dukej se ishte rrahur për vdekje. Dokumentet e gjetura në varrin e improvizuar ishin ato të 38-vjeçarit Serhiy Kyslytsky, i cili gjithashtu kishte ardhur në rajonin e Kievit nga Volynia. Më 15 maj, u gjet trupi i një 28-vjeçari që kishte jetuar me prindërit e tij në Kolonshchyna, afër Vyshehrad, i cili ishte qëlluar pas shpine. Trupi i një viktime tjetër u gjet pranë Vyshehrad më 5 maj, ai gjithashtu ishte torturuar.

Këto viktima janë vetëm disa nga numri i madh i civilëve të vrarë, që kur Rusia filloi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës më 24 shkurt.

Sipas Ihor Klymenko, kreu i Policisë Kombëtare të Ukrainës, hetimet penale janë nisur për vdekjen e 12 mijë ukrainasve, duke përfshirë edhe shumë trupa të viktimave që u gjetën në varre masive. Prej tyre, 1 mijë e 200 trupa ende nuk janë identifikuar.

Klymenko shpjegoi në një intervistë për Interfax Ukraine se mbi 1 mijë e 500 civilë ishin vrarë vetëm në rajonin e Kievit. Shumë prej trupave të viktimave të rusëve, të vrarë në Bucha, Irpin, Hostomel dhe Borodyanka shtriheshin në rrugët ku ishin qëlluar nga tanket ose automjetet e blinduara. Ata ishin vrarë, tha Klymenko, edhe pse mbanin shiritat e bardhë që pushtuesit i kishin detyruar njerëzit t’i mbanin.

Një numër i madh viktimash janë gjetur edhe në shtëpitë e tyre, ku shumica janë vrarë nga predha mortajash.

Sa i përket varrezave masive, Klymenko nuk ka dashur të japë asnjë shifër dhe ka theksuar se varret e reja janë gjetur gjatë gjithë kohës. Në një varr masiv në Bucha, ata gjetën trupat e 116 civilëve, ndërsa të tjerët mund të kenë pesë deri në shtatë viktima ose edhe më pak. Ai vë në dukje se banorët do të përpiqeshin të mblidhnin trupat e të vdekurve dhe t’i varrosnin në parqe apo oborre.

Rreth 75% e viktimave kanë qenë meshkuj, afërsisht 2% fëmijë dhe 23% femra. “Këta ishin civilë, njerëzit nuk kishin asnjë lidhje as me ushtrinë dhe as me strukturat ligjzbatuese”.

Vlen të theksohet se shifrat e mësipërme ka të ngjarë të jenë shumë më të ulëta se numri i përgjithshëm i viktimave civile. Vlerësimi më modest për numrin e civilëve të vrarë në Mariupol që kur Rusia filloi bombardimet, granatimet dhe rrethimin e egër të qytetit është 22 mijë.

Autoritetet e qytetit të Mariupolit kanë raportuar, gjithashtu, disa krematoriume të lëvizshme, të cilat mund të përdoren për rusët për të fshehur provat që rezultuan kaq të tmerrshme, pasi ushtria ruse u tërhoq nga rajoni i Kievit në fund të marsit.

Ushtarët rusë ekzekutuan tetë robër ukrainas në Bucha

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika