Zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Arbër Beka, ka deklaruar se arrestimi i policit të dyshuar për spiunazh nuk nënkupton përfundimin e procedurës hetimore.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Beka tha se hetimet janë në vazhdim dhe se rasti është në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale.

“Shpeshherë, ky mund të jetë vetëm fillimi i një procedure hetimore formale, të themi ashtu. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë Speciale duke iu referuar operacionit të djeshëm, mirëpo gjithsesi procedura hetimore në këtë rast do të vazhdojë”, tha Beka.

Ai shtoi se rasti kërkon ekzaminim të detajuar të dokumentacioneve dhe materialeve të tjera të sekuestruara gjatë operacionit.

“Sipas të gjitha gjasave, do të ketë zhvillime të tjera, pasi ka shumë dokumentacione, si dhe materiale të tjera, të cilat do të ekzaminohen në detaje sa i përket operacionit të djeshëm, respektivisht arrestimit të togerit policor me dyshime për veprën penale të spiunazhit”, përfundoi Beka.