Zëdhënësi i Qeverisë: Në çdo takim të radhës do të jetë në fokus zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në lidhje me takimin e 2 majit në Bruksel, që pritet të mbahet në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se takimet e radhës tash e tutje gjithmonë do ta kenë në fokus zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. “Takimi […]
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në lidhje me takimin e 2 majit në Bruksel, që pritet të mbahet në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se takimet e radhës tash e tutje gjithmonë do ta kenë në fokus zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Takimi i radhës tash e tutje gjithmonë do ta ketë në fokus zbatimin e marrëveshjes. Ka qenë një ndërmarrje shumë e madhe që e ka mundësuar një dakordim të tillë, do të mundësohet zbatimi i plotë i saj. Në kuadër të asaj marrëveshjeje, është një çështje që kërkon urgjencën, dhe në të njëjtën kohë e ka edhe në tekst fjalën ‘urgjencë’, është ajo për të ‘zhdukurit me dhunë’ dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Kurti.
Në emisionin “FIVE”, Kryeziu ka thënë se gjatë kësaj jave, kryeministri Kurti do të takohet me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, për të cilën, edhe Kurti e ka konfirmuar më herët me të cilin do të caktohet agjenda e takimit të 2 majit.
“Kalimi i fazës së parë për anëtarësim në KiE”, Kryeziu e quan motiv shtesë për shtetin e Kosovës
Kryeziu, në lidhje me atë që Kosova ka kaluar fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ka thënë se Republikës së Kosovës iu pranua aplikimi në këtë organizatë pas një pauze të gjatë të anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.
Sipas tij, që nga fillimi, kritikët e kanë konsideruar veprim të pamatur aplikimin e Kosovës në KiE.
Ai ka thënë se tashmë duhet të mbahet kontakti me shtetet anëtare që e kanë mbështetur këtë dhe se ky hap i rëndësishëm ka një ndikim pozitiv në rritjen e performancës së sistemit të drejtësisë në Kosovë, kështu duke përmendur mundësinë e qasjes në Gjykatën e Strasburgut.
“Le të jetë një motiv shtesë që të kemi reforma më të shpejta në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Kryeziu.
“Arrestimi i Nagip Krasniqit nuk është rastësi”
Kryeziu e ka quajtur si njëlloj “cinizmi” të Prokurorisë Speciale, vendimin për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
“Është një cinizëm në veprimin e Prokurorisë në arrestimin e kryeshefit, është shumë interesant që Prokuroria e merr këtë vendim në ditën e nënshkrimit të liberalizimit të vizave. Nuk është rastësi, është aktori i njëjtë që ka pasur përgjegjësinë e njëjtë t’ua liberalizojë vizat qytetarëve, e në atë ditë tregon që mund të jetë i suksesshëm”, ka thënë ai.
Sipas tij, gjyqi ndaj Krasniqit nuk mund të bëhet nga njerëzit dhe parlamenti, por nga organet përgjegjëse.















