Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se pushteti i kryeministri Albin Kurtit, është duke izoluar vendin dhe duke u ngulfatur nga aferat korruptive të Qeverisë Kurti 2.

“Pushteti i Albin Kurtit është bosh dhe nuk e ndryshon jetën e qytetarëve, por turmave u ofron armiq të fabrikuar. Në realitet pushteti aktual është duke u ngulfatur në afera korruptive dhe nga izolimi ndërkombëtar”, ka thënë Halimi në postimin e saj në Facebook.

Sipas saj, kryeministri Kurti është duke ndarë popullin dhe të gjithë që nuk janë me të janë tradhtar.

“Autokratët ushqejnë turmat me udhëheqje sipërfaqësore dhe nacionalizëm arkaik të modelit ‘kush nuk është me ne është tradhtar’, sepse vetëm në saje të ndarjes në ‘ne’ dhe ‘ata’, popullistët mbetën në pushtet”, ka theksuar ajo.

“Ndërlidhja e çdo situate që nuk i konvenon këtij pushteti me Serbinë është shfrytëzim i traumës së luftës për t’i frikësuar qytetarët, është tendencë e nënshtrimit të tyre”, ka thënë Halimi.

Më tej zëdhënësja e LDK-së e ka thënë se qytetarët mund ta shpëtojnë shtetin nga manipulimet e Qeverisë Kurti 2.

“Qytetarët duhet ta kuptojnë mashtrimin që po ju bëhet duke mundësuar të riparohen gabimet dhe të shpëtohet shteti. Reagimi i çdo njeriu me të përmendur të përjetuarën e rëndë, është instiktiv. Për këtë të vërtetë ky pushtet është i vetëdijshëm, por qytetarët duhet të vetëdijesohen që t’i thonë jo manipulimit”, ka përfunduar ajo.