Zëdhënësja e LDK-së, shpalos 10 pika për daljen nga kriza energjetike
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, i ka shpalosur dhjetë pikat që sipas saj do të ndihmonin që kriza energjetike të kalohet. Halimi ka thënë se fajet kryesore për reduktimet e energjisë elektrike i ka Qeveria e Kosovës. “Paaftësia e qeverisë me shumë numra në Kuvend, me të gjitha pushtetet në dorë, e me kryeministrin që […]
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, i ka shpalosur dhjetë pikat që sipas saj do të ndihmonin që kriza energjetike të kalohet.
Halimi ka thënë se fajet kryesore për reduktimet e energjisë elektrike i ka Qeveria e Kosovës.
“Paaftësia e qeverisë me shumë numra në Kuvend, me të gjitha pushtetet në dorë, e me kryeministrin që e ‘mbajnë në terr informativ’ për terrin energjetik – ka bërë që të kemi reduktime në verë. Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpalosur Planin me 10 pika kryesore, si shteg daljeje nga kriza energjetike”, ka thënë Halimi.
Halimi ka theksuar, se qeveria duhet të krijojë burime alternative të energjisë elektrike.
“Shteti ynë duhet të krijojë mundësi për furnizim me burime alternative, siç janë drunjtë dhe peleti; si dhe të bëjë gati një plan të efiçiencës, ku do të përfshiheshin shkollat, shtëpitë e shëndetit, e objekte të tjera publike. Duhet një strategji për negocimin e kontratave afatgjate për furnizim me energji; dhe sikurse për çdo produkt tjetër bazik – heqja e TVSh-së në rrymë, deri në tejkalim të krizës”, ka theksuar Halimi.
Tutje, Halimi ka thënë se qeveria duhet ta përgatis një pako të re të subvencionimit të energjisë elektrike.
Po ashtu, ajo ka theksuar se LDK, do ta përkrah çdo nismë ligjore eventuale në Kuvend për të themeluar Bursën e Përbashkët për Energji Kosovë-Shqipëri.
“Qeveria duhet të përgatisë një pako të re të subvencionimit të energjisë elektrike; si dhe të largojë tarifat diskriminuese të ZRrE-së. LDK kërkon inicimin dhe zotohet të përkrahë çdo nismë ligjore eventuale në Kuvend për të themeluar Bursën e Përbashkët për Energji Kosovë-Shqipëri”, ka thënë ajo.
Në fund, Halimi është shprehur se qeveria duhet të nis procedurat për kapaciteteve për gaz natyror.
“Në planin afatgjatë, Qeveria duhet urgjentisht të nisë procedurat për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese me burime të gazit natyror – pra termocentralit me gaz, energjisë solare dhe asaj nga era. Këto propozime janë në vazhdën e opozitarizmit konstruktiv, rrugë të cilën LDK do të vazhdojë ta ndjek, gjithmonë në të mirë të interesit qytetar”, ka theksuar ajo.















