Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në adresimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ka thënë se qëndrimi i Shqipërisë ndaj popullit të Ukrainës e bën atë të kujtojë Nënë Terezën.
Zelenskyy i është drejtuar Shqipërisë në vazhdën e adresimeve që ai ka bërë që nga fillimi i luftës, nëpër parlamente të vendeve evropiane dhe vendeve të tjera aleate, të cilat e kanë përkrahur vendin e tij në përballjen me pushtimin rus, të nisur më 24 shkurt.
Ai fjalën e tij e nisi me një urim për festën e Fiter Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.
“Kërkoj t’i kufizoni ardhjet e turistëve rusë, se nuk mund ta dimë kush erdhi te ju sot. Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet tërësisht tregtia me Rusinë. Kërkoj t’i mbyllni portet për anijet ruse”, tha ai.
Zelenksy ka falënderuar Qeverinë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e saj drejt Ukrainës.
“Ky qëndrim i juaji ndaj popullit të Ukrainës, ndaj fëmijëve në kohët e vështira për ne, më bën të kujtoj Shën Terezën shqiptare, që është kthyer në simbol në mbarë botën. Ajo mësoi njerëzit që përpjekjet e mira mund të mposhtin të keqen dhe të afrojnë ata me shenjtërinë që njerëzit do t’i kujtojnë brez pas brezi”, është shprehur Zelensky.
Teksa është shprehur mirënjohës ndaj Shqipërisë për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës, Zelensky ka kërkuar ndaj Qeverisë së Shqipërisë, mbylljen e porteve për anijet ruse dhe kufizimin e turistëve rusë.
“Jam mirënjohës që nuk hezitoni të mbështetni, nuk mendoni kë do të mbështetni, jeni padyshim në anën e lirisë, faleminderit për hapat konkret ndaj Ukrainës, për ndihmën, për kujdesin që ju bëni njerëzve tanë ndaj fëmijëve”, shtoi ai.
Zelensky paraqiti një pamje mbi rëndimin e situatës në Ukrainë, ku forcat pushtuese ruse nuk po e kursejnë as popullsinë civile.
“Rusia i ka shndërruar gjithë ditët tona në një rrezik vdekjeprurës. 120 fëmijë u vranë e 420 të tjerë u plagosën. Në qytetin tonë më të madh në lindje 1/5 nga të gjitha shtëpitë është shkatërruar tashmë. Nuk ka ndërtesa të pashkatërruara. Asnjë ndërtesë, imagjinoni”, është shprehur ai.
Sipas tij, ushtria ruse ka një metodë të veçantë të luftimit edhe në zona të ftohta, teksa shtoi se pushtuesit nuk kanë lejuar as të varrosen trupat e vrarë.
Ai tha se ndonëse i është kërkuar të pushojë, Rusia nuk është përgjigjur.
“Njerëzve të strehuar në bunkere kanë filluar t’u ngrihen këmbët e duart. Në zonat e çliruara nga Rusia po varrosen njerëzit të cilët u gjetën të mbytur me duar të lidhura, e të vrarë pas koke. U kërkua nga Rusia të pushonte bombardimet gjatë pashkëve por nuk e bëri. Ata nuk duan të ndalojnë, duan të shkojnë më tej. Ata po bëjnë përpjekje për të ringjallur një tirani të tmerrshme”, ka thënë ai.