Zelenskyy i kërkon Katarit që ta rrisë eksportin e energjisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, të shtunën e 26 marsit u ka bërë thirrje vendeve të pasura me energji që të rrisin prodhimin e naftës dhe gazit natyror.

Kjo pasi, sanksionet perëndimore kanë prekur eksportet ruse të cilat janë thelbësore për vendet evropiane.

Ai, me anë të një video në Forumin Doha të Katarit, për të kompensuar humbjen e furnizimeve ruse të energjisë, u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe fuqive botërore që t’i vijnë në ndihmë.

“Ju bëj thirrje që të rrisni prodhimin e energjisë për ta bërë Rusinë të kuptojë se, asnjë shtet nuk duhet të përdorë energjinë si armë dhe të shantazhojë botën”, ka thënë ai.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy

Sipas tij, e ardhmja e Evropës varet nga përpjekjet e tyre.

“Shtetet përgjegjëse, veçanërisht Katari, ju jeni furnizues të besueshëm dhe me reputacion të burimeve të energjisë, dhe ju mund të kontribuoni në stabilizimin e situatës në Evropë”, është shprehur Zelenskyy.

Siç raporton Associated Press, Zelenskyy ka paralajmëruar se lufta mund të ndikojë edhe në eksportet bujqësore të Ukrainës në botë.

“Shteti ynë do të ketë ushqim të mjaftueshëm. Por, mungesa e eksporteve nga Ukraina do të godasë shumë vende në botën islame, Amerikën Latine dhe pjesë të tjera të botës”, ka shtuar Zelenskyy.

Sipas tij, tashmë është ngritur një shqetësim sa i përket humbjes së grurit ukrainas.

Ai të premten e 25 marsit, përmes një bisede telefonike me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah el-Sissi, i cili është një aleat i ngushtë i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se mungesa e eksporteve nga Ukraina do t’u japë një goditje vendeve në mbarë botën.

Ndryshe, Presidenti rus, Putin, më 23 mars kishte njoftuar se shteti që udhëhiqet nga vetë ai do të kërkojë që vendet “jomiqësore” të paguajnë për eksportet e gazit natyror rus vetëm me rubla.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

“Nuk ka kurrfarë kuptimi që t’i furnizojmë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara me mallrat tona, dhe të paguhemi me dollarë, euro, e një numër valutash tjera”.

Kërkesën e Putinit, e ka refuzuar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka akuzuar Moskën se po përpiqet të anashkalojë sanksionet e vendosura për shkak të luftës në Ukrainë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

“Prandaj, nuk është e mundur që, sot, të bëhet kjo kërkesë, nuk është në kontratë”, ishte shprehur Macron.

Po ashtu, edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka hedhur poshtë këtë kërkesë.

Ai ka thënë se kontratat e nënshkruara tregojnë, saktësisht, se si duhet të bëhet pagesa për gazin e blerë.

Ndryshe, gazi rus përbën rreth 40 për qind të importeve të gazit natyror të Bashkimit Evropian.

Për shkak të agresionit rus në Ukrainë, BE-ja dhe SHBA-të kanë vendosur një sërë sanksionesh të ashpra ndaj Rusisë.

Shija e redaktorit

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

“Dukagjini” mbajti seminarin “mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”

Qindra mësimdhënës nga shkolla të ndryshme nga mbarë vendi u bashkuan në seminarin e organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, me temë “Mirëqenia psikologjike e...

Të fundit nga rubrika