Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje fuqive botërore që të punojnë bashkë për të ndaluar agresionin rus në vendin e tij teksa e akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se po kërkon që të zgjerojë luftimet përtej Ukrainës.

Zelenksy në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara tha se ndalimi i kësaj lufte ka kosto më të lirë sesa vazhdimi i saj, shkruan Reuters, transmeton RTV Dukagjini.

“Faktet janë të thjeshta, ndalimi i kësaj lufte… është më i lirë sesa ndërtimi i kopshteve nëntokësore ose bunkerëve masivë për infrastrukturë kritike më vonë,” u shpreh Zelensky.

Ai përmendi shkeljet e dyshuara të hapësirës ajrore nga dronët dhe avionët luftarakë rusë në Poloni dhe Estoni si provë që Putini po teston kufij të rinj në luftën në Ukrainë.

“Tani dronët rusë tashmë po fluturojnë nëpër Evropë dhe operacionet ruse tashmë po përhapen nëpër vende. Putin dëshiron ta vazhdojë këtë luftë duke e zgjeruar atë dhe askush nuk mund të ndihet i sigurt tani.”

Zelenskiy tha se Ukraina kishte vendosur të fillonte eksportimin e armëve të saj te aleatët.

“Nuk keni nevojë ta filloni këtë garë nga e para. Ne jemi gati të ndajmë atë që tashmë është testuar. Ne jemi gati t’i bëjmë armët tona moderne të bëhen siguria juaj moderne. Ne kemi vendosur të hapim eksportin e armëve. Dhe këto janë sisteme të fuqishme të testuara në një luftë të vërtetë kur çdo institucion ndërkombëtar dështoi”, tha ai.