Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet t’u bëjë thirrje vendeve anëtare të NATO-s që t’i sigurojnë Ukrainës më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore gjatë samitit të Aleancës që mbahet të martën dhe të mërkurën në Ankara, mes intensifikimit të sulmeve ruse.
Kërkesa e tij vjen pasi Rusia ka goditur dy herë kryeqytetin ukrainas, Kievin, brenda më pak se një jave, duke goditur ndërtesa banimi dhe duke shkaktuar mbi 50 viktima civile.
Në kuadër të samitit, Zelensky synon të zhvillojë edhe një takim me presidentin amerikan, Donald Trump, ku do të kërkojë shtim të mbështetjes ushtarake për Ukrainën. Ai pritet të argumentojë se sulmet e fundit të Rusisë janë shenjë dobësie dhe se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të shtyhet drejt negociatave për një “paqe dinjitoze”.
Ndërkohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj objektivave ushtarake dhe rafinerive të naftës në Rusi, duke shkaktuar mungesa të karburantit dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar shumicën e 430 dronëve të lëshuar nga Ukraina drejt kryeqytetit gjatë natës, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një bilanc të plotë të dëmeve.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u bëri thirrje vendeve anëtare të rrisin mbështetjen për Ukrainën, duke theksuar se Kievi ka nevojë për mjete shtesë për të mbrojtur sovranitetin e tij dhe se ka arritur të ndryshojë dinamikën në fushëbetejë.
Megjithatë, raketat balistike ruse mbeten një sfidë e madhe për Ukrainën.
Sipas të dhënave të forcave ajrore ukrainase, në sulmin e fundit u neutralizuan pothuajse të gjithë dronët rusë, por asnjë nga raketat balistike nuk u interceptua, për shkak të mungesës së raketave për sistemet amerikane Patriot.