Zelensky mirëpret propozimin e Trumpit për armëpushim energjetik, Rusia ende pa reagim

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina janë pajtuar për një “armëpushim energjetik”, duke thënë se marrëveshja hyn në fuqi menjëherë. Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje për marrëveshjen, ndërsa Moska ende nuk ka reaguar.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, fillimisht ka shprehur habi për njoftimin e Trumpit, por më pas ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të mos sulmojë infrastrukturën energjetike ruse, nëse edhe Moska vepron njësoj.

Zelensky ka thënë se pret sqarime për marrëveshjen, duke shtuar se zyrtarët ukrainas presin të marrin detaje të qarta për bisedimet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë.

“Ukraina është e gatshme të mos sulmojë objektet energjetike ruse dhe ne presim gatishmëri të njëjtë nga Rusia, si dhe pajtimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Megjithatë, Zelensky ka akuzuar Rusinë se ka sulmuar objektet energjetike ukrainase pas njoftimit të Trumpit.

Sipas tij, një dron rus ka goditur një central elektrik në Kiev, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Më pas, sulme janë regjistruar edhe ndaj objekteve energjetike në rajonin e Harkivit, në verilindje të Ukrainës.

“E gjithë kjo ndodhi pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara bëri deklaratën e tij për një armëpushim energjetik”, ka thënë Zelensky.

BBC-ja ka kërkuar nga Shtëpia e Bardhë më shumë informacione lidhur me deklaratën e Trumpit.

Kryeministri britanik, Andy Burnham, ka deklaruar se Britania e Madhe e mbështet fuqishëm thirrjen e Trumpit për nisjen e menjëhershme të një armëpushimi të qëndrueshëm energjetik. Mbështetje kanë shprehur edhe Franca, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian.

Prej muajsh, Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme ndaj infrastrukturës energjetike. Moska i konsideron objektivat që godet si të ligjshme, me arsyetimin se ato mbështesin operacionet ushtarake të Ukrainës. Ndërkaq, Zelensky i ka cilësuar sulmet ukrainase në thellësi të territorit rus si përpjekje për të zvogëluar aftësinë e Moskës për të financuar luftën.

Kritika për marrëveshjen e naftës me Rusinë

Deklarata e Trumpit vjen në një kohë kur presidenti amerikan po i kërkon Ukrainës të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës, të cilën Kievi e konsideron të rëndësishme për kufizimin e të ardhurave që Moska përdor për financimin e luftës.

Trump po përpiqet të mundësojë zbatimin e një marrëveshjeje të arritur së fundmi për lirimin e naftës dizel ruse në tregun amerikan dhe atë global. Marrëveshja parashikon lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj importeve ruse.

Zelensky e ka cilësuar këtë marrëveshje si një dhuratë për presidentin rus, Vladimir Putin. Edhe zyrtarë evropianë dhe disa politikanë amerikanë, përfshirë anëtarë të Partisë Republikane të Trumpit, kanë shprehur kundërshtimin e tyre.

Më herët të dielën, sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, i ka thënë BBC-së se Britania e Madhe nuk e mbështet marrëveshjen. Edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka kritikuar atë.

Marrëveshja është kundërshtuar edhe nga politikanë të të dyja partive kryesore në SHBA.

Shtatë senatorë amerikanë, tre demokratë dhe katër republikanë, kanë publikuar një deklaratë ku thonë se marrëveshja e Trumpit bie drejtpërdrejt ndesh me një ligj që ndalon shprehimisht importin e energjisë ruse.

“Kongresi ishte i qartë: SHBA-ja nuk duhet të importojë naftë nga Rusia derisa ajo t’i japë fund agresionit kundër Ukrainës dhe kërcënimeve ndaj aleatëve tanë të NATO-s”, kanë deklaruar senatorët, duke i kërkuar administratës Trump ta ndryshojë qëndrimin.

Senatori republikan Thom Tillis, njëri nga shtatë nënshkruesit, ka thënë për NBC News se marrëveshja “absolutisht do t’i vërë në rrezik jetët e amerikanëve”.

Trump po synon uljen e çmimeve të karburanteve në SHBA para zgjedhjeve të mesmandatit. Çmimet e karburanteve janë rritur në tregjet globale, veçanërisht ato të naftës dizel, si pasojë e luftës me Iranin, duke ndikuar në rritjen e kostos së jetesës dhe të inflacionit në SHBA.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika