Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë “se po luan me jetët e të burgosurve ukrainas” pas rrëzimit të një avioni transportues ushtarak rus, që u rrëzua në rajonin e Belgorodit pranë kufirit me Ukrainën.

Siç raporton BBC, Zelensky kërkoi hetim ndërkombëtar për këtë çështje.

Rusia tha se nuk kishte të mbijetuar pasi Kievi kishte rrëzuar aeroplanin Il-76 me 65 ushtarë ukrainas, të kapur gjatë luftës, të cilët po transportoheshin për shkëmbim.

Drejtoria kryesore e inteligjencës konfirmoi se këmbimi i të burgosurve ishte planifikuar më 24 janar dhe se Ukraina kishte përmbushur të gjitha marrëveshjet për t’u përgatitur për shkëmbim.

Inteligjenca ushtarake ukrainase tha se Kievit nuk i është kërkuar që të sigurojë hapësirën ajrore përreth zonës së Belgorodit, siç kishte ndodhur në rastet kur më herët janë shkëmbyer të burgosurit e luftës.

Në fjalimin e tij të mërkurën vonë, presidenti Zelensky tha se ishte “e qartë se rusët po luajnë me jetët e të burgosurve ukrainas, me ndjenjat e të afërmve të tyre dhe me emocionet e shoqërisë sonë”.

Zelensky, i cili tani ka anuluar një udhëtim të planifikuar rajonal, theksoi se “duhet të vërtetohen të gjitha faktet e qarta”.

Inteligjenca ushtarake ukrainase tha se akuzat e Rusisë se Kievi ka rrëzuar avionin transportues mund të jenë “një veprim i planifikuar për të destabilizuar situatën në Ukrainë dhe për të dobësuar mbështetjen ndërkombëtare për shtetin tonë”.

Më herët gjatë 24 janarit, guvernatori rajonal i Belgorodit njoftoi se të 74 personat në bordin e avionit kishin vdekur.

“Aeroplani është rrëzuar në rajonin Koroçanski. Është rrëzuar afër një zone të populluar. Të gjithë në bord kanë vdekur”, ka thënë guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, përmes një postimi në Telegram.

Në disa video të publikuara në rrjetet sociale duket se aeroplani ushtarak transportues ka qenë i modelit Ilyushin Il-76.

Më herët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka refuzuar të komentojë rrëzimin e aeroplanit, duke thënë se është ende duke mbledhur informacione për incidentin.

Megjithatë, ligjvënësi rus dhe gjenerali i pensionuar, Andrei Kartapolov, e ka akuzuar Ukrainën për rrëzim të aeroplanit, derisa mediumi ukrainas “Ukrainska Pravda,” i ka cituar disa burime brenda ushtrisë ukrainase, kur ka raportuar se ushtria e këtij vendi ka dhënë sinjale se rrëzimi ka qenë “puna e tyre”, duke shtuar se aeroplani ka qenë duke bartur raketa për sistemin rus për mbrojtje ajrore S-300.

Ky medium më vonë e ka fshirë këtë postim.

Moska dhe Kievi kanë këmbyer disa herë të burgosur, prej kur Kremlini e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka raportuar më herët që një dron është rrëzuar në rajon, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi.