I pari i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka akuzuar ushtarët rusë për kryerjen e krimeve të luftës dhe vrasjen e civilëve në Kherson.

Zelensky në fjalimin e tij në video të dielën ka thënë se “Hetuesit kanë dokumentuar tashmë më shumë se 400 krime lufte ruse dhe janë gjetur trupat e civilëve e të personelit ushtarak”.

“Ushtria ruse la pas të njëjtën egërsi që bëri në rajone të tjera të vendit ku hyri,” vazhdoi ai. “Ne do të gjejmë dhe nxjerrim para drejtësisë çdo vrasës. Pa dyshim.”

Granatimet ruse vazhdojnë

Të hënën e 14 nëntorit, Komanda jugore e Forcave të Armatosura të Ukrainës ka thënë se forcat ruse vazhduan të “shkaktojnë dëme nga zjarri mbi trupat tona dhe vendbanimet e ç’pushtuara përgjatë bregut të djathtë të Dnipro”.

Guvernatori i rajonit Kherson, Yaroslav Yanushevych, është shprehur se institucionet kishin vendosur të mbanin një shtetrrethim nga ora 17:00, deri në orën 08:00, po ashtu kishin vendosur dhe ndalimin e personave që të dalin ose të hyjnë në qytet si masë sigurie.

“Armiku minoi të gjithë infrastrukturën kritike. Ne po përpiqemi të takohemi brenda pak ditësh dhe pastaj të hapim qytetin”, ka shtuar Yanushecych për televizionin ukrainas, raporton euronews.

Presidenti ukrainas Zelenskyy ka paralajmëruar banorët e Khersonit për praninë e minave ruse.

Ai ka potencuar se kërkon që të mos harrojnë se situata në rajonin e Khersonit mbetet shumë e rrezikshme.