Zelensky: Rusia po humb iniciativën në luftë, Putini po izolohet ndërkombëtarisht

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia po humb gradualisht iniciativën në luftën kundër Ukrainës, duke vlerësuar se situata ushtarake është më e favorshmja për Kievin në dy vitet e fundit.

Në një intervistë për gazetën britanike The Guardian, Zelensky tha se, megjithëse nuk mund të thuhet se Rusia po e humb luftën, ajo po humb terren dhe avantazh strategjik çdo ditë.

Sipas tij, forcat ruse po pësojnë humbje të mëdha, me mbi 30 mijë ushtarë të vrarë ose të plagosur çdo muaj.

“Ne nuk mund të themi se Rusia po e humb luftën, por mund të themi se ajo po humb iniciativën dita-ditës”, tha Zelensky.

Ai përmendi si goditje të rëndësishme sulmet ukrainase me dronë ndaj objektivave strategjikë rusë, përfshirë qytetin e Shën Petersburgut dhe Krimenë e pushtuar, ku janë dëmtuar depo karburanti dhe rrugë furnizimi ushtarake.

Megjithatë, Zelensky theksoi se Rusia vazhdon sulmet intensive ajrore ndaj qyteteve ukrainase. Vetëm javën e kaluar, sipas tij, Rusia lëshoi 73 raketa dhe 656 dronë, duke vrarë 18 persona në Kiev dhe Dnipro, mes tyre edhe një fëmijë trevjeçar.

Presidenti ukrainas tha se i kishte propozuar Vladimir Putinit një takim ballë për ballë për të diskutuar përfundimin e luftës, por presidenti rus e refuzoi ofertën dhe përsëriti kërkesat e Moskës për territore ukrainase.

Zelensky e akuzoi Putinin për gënjeshtra të vazhdueshme që nga fillimi i pushtimit, duke thënë se narrativat e Kremlinit përdoren për të mbajtur të bashkuar shoqërinë ruse.

Ai vlerësoi gjithashtu se Rusia po humb ndikimin politik në disa vende, duke përmendur humbjet e kandidatëve pro-rusë në Hungari, Moldavi dhe Armeni.

Duke folur për marrëdhëniet me SHBA-në, Zelensky tha se administrata e presidentit Donald Trump e ka zhvendosur fokusin drejt Lindjes së Mesme, por shprehu mirënjohje për mbështetjen amerikane ndaj Ukrainës.

Një nga nevojat më urgjente të Ukrainës, sipas tij, mbeten sistemet amerikane Patriot, të cilat janë të vetmet që mund të rrëzojnë raketat balistike ruse.

Zelensky u bëri thirrje vendeve evropiane që të investojnë në zhvillimin e sistemeve të tyre të mbrojtjes ajrore dhe premtoi se Ukraina është e gatshme të ndajë përvojën e saj në luftën me dronë.

Duke folur për Krimenë, ai tha se Ukraina po vazhdon operacionet për të goditur infrastrukturën ushtarake dhe logjistike ruse në gadishullin e aneksuar.

Ndërkaq, Zelensky pretendoi se ekonomia ruse po përballet me vështirësi serioze dhe se një pjesë e elitës ruse dëshiron përfundimin e luftës.

“Mendoj se njerëzit e biznesit e kuptojnë se ekonomia ruse është në një gjendje shumë të keqe dhe shumë afër kolapsit”, u shpreh ai.

Të fundit nga rubrika