Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Rusia po përgatit sulme të reja ndaj sistemit energjetik të vendit.

Ai tha se nuk ka asnjë shenjë që Moska është e gatshme ta ndalë luftën apo të angazhohet seriozisht në diplomaci.

Në një postim në rrjetin social X të dielën, Zelensky njoftoi se ka zhvilluar një takim me ushtrinë dhe shërbimet e sigurisë së Ukrainës.

Ai theksoi se kanë informacione të sigurta se Rusia po planifikon sulme të reja, të cilat mund të mos duken menjëherë për botën, pasi vëmendja aktualisht është përqendruar në konfliktin në Lindjen e Mesme.

“Shërbimet partnere të inteligjencës kanë dhënë të dhëna të qarta. Informacionet specifike për kërcënimin rus ndaj infrastrukturës bërthamore të Ukrainës janë përcjellë nga ministri ynë i Energjisë tek Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe përfaqësuesi z. Witkoff. Gjithashtu, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës e ka informuar homologun amerikan”, tha Zelensky.

Ai shtoi se, pavarësisht deklaratave të Vladimir Putinit, Rusia vazhdon të godasë qëllimisht objektet civile dhe infrastrukturat energjetike në Ukrainë.

“Kjo formë terrori po bëhet gjithnjë më e fshehtë dhe më tinëzare. Nuk ka asnjë sinjal që në Moskë po mendojnë për paqe”, përfundoi presidenti ukrainas.