Zelensky thotë se ka përparim në bisedimet me SHBA-në për planin e paqes

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ka zhvilluar një bisedë telefonike “shumë konstruktive” me të dërguarin e posaçëm për paqe të Donald Trump, Steve Witkoff, si dhe me dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner.

Sipas Zelenskyt, gjatë bisedës u diskutua se si mund të sigurohet që Rusia të respektojë çdo marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Ai theksoi se mbetet i vendosur për të vazhduar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në përpjekjen për arritjen e paqes.

Në të njëjtën kohë, zyrtarë ukrainas ndodheshin në Miami, ku po marrin pjesë në ditën e tretë të bisedimeve lidhur me përpjekjet e SHBA-së për të ndërtuar një marrëveshje paqeje me Rusinë.

Megjithatë, Moska nuk duket se ka bërë asnjë lëshim dhe vazhdon bombardimet masive ndaj Ukrainës.

“Ukraina është e vendosur të vazhdojë punën me mirëbesim me palën amerikane për të arritur realisht paqen,” shkroi Zelensky në rrjetin social X.

“Diskutuam shumë aspekte dhe kaluam nëpër pika kyçe që mund të sigurojnë ndalimin e gjakderdhjes dhe të eliminojnë kërcënimin e një pushtimi të ri rus në shkallë të gjerë.”

Gjatë natës, Rusia ndërmori sulme të reja ajrore dhe raketore ndaj Ukrainës, duke shkaktuar reagime të ashpra nga aleatët europianë të Kievit. Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se kishte folur me Zelenskyn dhe i kishte shprehur “solidaritetin e plotë”.

“Franca është e vendosur të punojë me të gjithë partnerët për të siguruar masa për uljen e tensioneve dhe për të vendosur një armëpushim,” tha Macron.

Ai konfirmoi gjithashtu se të hënën në Londër do të marrë pjesë në një takim me Zelenskyn, kryeministrin britanik Sir Keir Starmer dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz. Katër liderët pritet të diskutojnë bisedimet në vazhdim mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas, që synojnë garantimin e sigurisë së Ukrainës pas përfundimit të luftës.

Dy javë më parë, të njëjtët liderë u takuan virtualisht për të diskutuar krijimin e një force paqeruajtëse europiane, e cila mund të vendoset në Ukrainë në rast të një armëpushimi. Kryeministri britanik Starmer ka theksuar vazhdimisht se e ardhmja e Ukrainës duhet të vendoset nga vetë ukrainasit dhe se kjo forcë do të luante një rol jetik në garantimin e sigurisë së vendit.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka kundërshtuar këtë ide, duke deklaruar se çdo trupë e huaj e vendosur në Ukrainë do të konsiderohej “objektiv legjitim”.

Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ka lëshuar 653 dronë dhe 51 raketa të premten mbrëma. Një nga sulmet goditi një nyje hekurudhore në qytetin Fastiv, në jugperëndim të Kievit, duke shkatërruar ndërtesën kryesore të stacionit dhe dëmtuar trenat. Ministria e Energjisë njoftoi se sulmet ruse prekën objekte energjetike në tetë rajone, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Nga ana e saj, Rusia pretendon se ka goditur objekte ushtarako-industriale, si dhe infrastrukturë energjetike dhe portuale.

Ndërkohë, negociatorët amerikanë dhe ukrainas i kanë bërë thirrje Rusisë të tregojë një “angazhim serioz për paqe afatgjatë”, pasi bisedimet e zhvilluara në Moskë nuk prodhuan përparim konkret.

Bisedimet në Florida mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë, që synojnë bindjen e Ukrainës për të pranuar një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-ja, kanë hyrë në ditën e tretë. Në një deklaratë të publikuar të premten, Steve Witkoff tha se dy ditët e bisedimeve me Rustem Umerov, sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, kanë qenë “konstruktive”.

Sipas deklaratës, palët janë dakorduar për një kornizë të përgjithshme të marrëveshjeve të sigurisë dhe kanë diskutuar aftësitë parandaluese të nevojshme për të ruajtur një paqe të qëndrueshme. Megjithatë, theksohet se përfundimi i luftës varet nga gatishmëria e Rusisë për të ndërmarrë hapa drejt uljes së tensioneve dhe ndalimit të vrasjeve.

Shija e redaktorit

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Të fundit nga rubrika