Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se ka revokuar shtetësinë për katër ligjvënës ukrainas të dyshuar për tradhti, tre prej të cilëve janë pjesë e një partie të ndaluar pro-ruse.

Shtetësia iu hoq Andriy Derkach, Taras Kozak, Renat Kuzmin, dhe Viktor Medvedchuk, raporton REL.

Sipas presidentit ukrainas, kjo u bë “bazuar në materialet e përgatitura nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës dhe nga Shërbimi Shtetëror i Sigurisë”.

Të paktën tre prej këtyre personave gjenden jashtë vendit dhe që të gjithë janë nën procedime ligjore nën dyshimet për tradhti, që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në fund të shkurtit të vitit të kaluar.

“Nëse përfaqësuesit e zgjedhur të popullit zgjedhin të shërbejnë jo për popullin e Ukrainës, por për vrasësit që kanë ardhur në Ukrainë, veprimet tona do të jenë të përshtatshme”, ka thënë Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 10 janarit.

Ai shtoi se këto nuk do të jenë vendimet e fundit të këtij lloji.

Derkach, Kozak, Kuzmin, dhe Medvedchuk ishin zgjedhur deputetë në Parlamentin ukrainas, nga partia Platforma Opozitare për Jetë. Kjo parti, aktualisht është e ndaluar në Ukrainë.