Zelensky viziton Zaporizhzhia-n, takohet me Rafael Grossin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka bërë një vizitë të papritur në pozicionet e vijës së parë të frontit në rajonin e Zaporizhzhia, ku gjithashtu u takua me shefin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), Rafael Grossin. Zyra e Zelenskyt ka thënë në një deklaratë të hënën se presidenti takoi trupat “në pozicionet e […]
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka bërë një vizitë të papritur në pozicionet e vijës së parë të frontit në rajonin e Zaporizhzhia, ku gjithashtu u takua me shefin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), Rafael Grossin.
Zyra e Zelenskyt ka thënë në një deklaratë të hënën se presidenti takoi trupat “në pozicionet e vijës së parë” në dhe i nderoi ata me medalje shtetërore, si dhe i informoi për “situatën aktuale në vijën e frontit”.
Më pas, Grossi ka shkruar në Twitter se ai gjendet gjithashtu në Zaporizhzhia dhe atje ka takuar Zelenskyn me të cilin ka diskutuar për mbrojtjen e centralit më të madh bërthamor të Evropës, i cili mbahet nga forcat ruse.
IAEA ka shprehur vazhdimisht shqetësime për sigurinë në Zaporizhzhia.
Ky central bërthamor – më i madhi në Evropë dhe ndër dhjetë më të mëdhenjtë në botë – ka qenë një nga shënjestrat e ushtrisë ruse prej nisjes së luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt të vitit të kaluar.
Moska dhe Kievi kanë fajësuar njëri-tjetrin për bombardimet rreth centralit, të cilat kanë rritur shqetësimet për katastrofë bërthamore.
Më herët gjatë ditës, Ukraina ka thënë se trupat ushtarake janë duke vazhduar të zmbrapsin sulmet e ashpra ruse në Bahmut.
Zelensky e ka vizituar Bahmutin gjithashtu javën e kaluar dhe u ka dhënë medalje trupave që janë duke luftuar për atë zonë.















