Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se çdo marrëveshje paqeje duhet të sigurojë që Rusia të mos shpërblehet për agresionin e saj.

Ai tha se bisedimet e fundit në Berlin me përfaqësuesit e SHBA-së kanë qenë “jashtëzakonisht intensive dhe të fokusuar”, duke punuar në detaje mbi dokumente që mund të ndalojnë luftën dhe të garantojnë sigurinë e Ukrainës.

“Çdo detaj ka rëndësi,” theksoi Zelenskyy, duke shtuar se asgjë në projekt-marrëveshje nuk duhet të shërbejë si shpërblim për agresionin rus.

“Nëse agresori shpërblehet, ai fillon të besojë se lufta ia vlen,” tha ai.

Zelenskyy kujtoi krimet e shumta të Rusisë, duke përmendur edhe rrëzimin e fluturimit MH17 të Malaysia Airlines në 2014.

“Nuk mund të ndodhë që ata që vranë të trajtohen papritmas si partnerë të respektuar,” shtoi ai, duke kërkuar llogaridhënie të detajuar për çdo shkelje.

Ai u shpreh optimist për të ardhmen duke theksuar se “Shpresoj që herën tjetër kur t’u drejtohem parlamentit tuaj, ta bëj me mirënjohje për një paqe të arritur.”

Bisedimet, tha Zelenskyy, nuk lidhen vetëm me një armëpushim, por edhe me garanci sigurie për të siguruar që Rusia nuk mund të sulmojë Ukrainën përsëri në të ardhmen.

“Kriminelët nuk ndryshojnë brenda një dite,” theksoi ai, duke kërkuar garanci ndërkombëtare të forta dhe llogaridhënie të vërtetë për çdo shkelje të marrëveshjes, raporton The Guardian.

Duke folur për vizitën e tij të fundit në Kupiansk, Zelenskyy tha se do të vazhdojë të ekspozojë “çdo gënjeshtër dhe propagandë ruse”.

Ai kritikoi edhe kërkesat territoriale të Rusisë, duke theksuar se Ukraina nuk mund të pranojë të japë pjesë të tokës që nuk janë pushtuar dhe as të kufizojë të drejtën e saj për t’u bashkuar me aleanca ndërkombëtare.