Zemaj i bën thirrje kryetarit të LDK-së të thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm: T’i hapim rrugë fitoreve të partisë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i ka bërë thirrje kryetarit të partisë që të thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm dhe të shpallë zgjedhjet e brendshme, me qëllim, siç tha ai, hapjen e rrugës për fitoret e ardhshme të LDK-së.

Zemaj ka deklaruar se çështja e formimit të institucioneve pas zgjedhjeve është një proces i ndarë dhe nuk mund të përdoret si arsyetim për problemet e brendshme të partisë.

“Thirrja më e sinqertë për kryetarin e LDK-së është që të ulet, ta thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm dhe t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme. T’i hapim rrugë fitoreve të LDK-së”, ka thënë Zemaj.

Sipas tij, nuk është e drejtë që përgjegjësia për mungesën e institucioneve t’i atribuohet një partie të tretë, pasi sipas tij, përgjegjësinë për konsolidimin e institucioneve e ka mandatarja për formimin e qeverisë.

“Pjesa e konstituimit është pjesë tjetër, është e ndarë. Nuk mundesh, ose është qasje e gabuar, që partia e tretë të jetë fajtore pse ne nuk kemi institucione nga zgjedhjet e fundit. Kjo është justifikim. Mundësinë për ta bërë qeverinë dhe konstituimin e ka Albin Kurti. Nuk është në dorën e LDK-së”, ka deklaruar ai.

Zemaj ka thënë se LDK-ja, sipas tij, ka dhënë vazhdimisht mundësi për bashkëpunim institucional, duke përmendur edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit konsensual.

“Sa negociata janë zhvilluar me Albin Kurtin, sa herë i kemi dhënë shansin, sa herë kemi kërkuar president konsensual që 15 deputetë ta dëshmojnë me nënshkrim publik. Këto janë retorika dhe mashtrime të VV-së dhe të tjerëve, ndoshta edhe të atyre që nuk kanë aftësi dhe guxim për formimin e institucioneve”, ka thënë Zemaj.

Ai ka shtuar se LDK-ja duhet të rikthejë identitetin e saj politik dhe të hapet për gjeneratat e reja.

“LDK i ka dhënë të gjitha shanset. Nuk mund të them se kush vjen, por kam një person të preferuar. Unë e shoh një person që e njeh Lidhjen Demokratike të Kosovës, e do LDK-në, i bashkon të gjitha gjeneratat dhe e hap partinë për njerëz të rinj”, ka deklaruar ai.

Sipas Zemajt, kryetari i ardhshëm i LDK-së duhet të jetë një figurë që e sheh partinë me identitet të fuqishëm.

“Një person që e ka rugovizmin, që e do LDK-në si parti të parë e jo si patericë apo pjesë sa për sy e faqe, por me identitetin e vet. Ky person nuk pajtohet me kapjen e shtetit, me kapjen e prokurorisë, me korrupsionin, me zërat kundër ushtrisë dhe FSK-së”, ka thënë ai.

Zemaj ka theksuar se LDK-ja ka emra të shumtë që mund të garojnë në një proces të organizuar zgjedhor.

“Lidhja Demokratike ka emra. Të gjithë këta mund të jenë në garë në mënyrë të organizuar”, ka përfunduar Zemaj.

 

Të fundit nga rubrika