Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se partia e tij nuk përkrah mbajtjen e dy palë zgjedhjeve njëkohësisht, duke paralajmëruar për rrezikun e keqpërdorimeve dhe abuzimeve në një situatë të tillë.

Zemaj akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se nuk po tregon gatishmëri për një marrëveshje politike, pasi – sipas tij – dëshiron të mbajë në kontroll edhe Qeverinë, edhe kryetarin e Kuvendit, vetëm me numrin aktual të votave.

“Vetëm të merren vesh për një marrëveshje politike, edhe çështja e kafesë do të ishte më e lehtë”, tha ai me ironi.

Zemaj kujtoi se, sipas deklaratave të Fatmir Limajt dhe Albin Kurtit, pozita e kryetarit të Kuvendit po përdoret si kusht për sigurimin e votave, por VV – sipas tij – po refuzon çdo kompromis.

“VV siç duket, me këtë numër votash, po do ta ketë edhe kryetarin e Kuvendit edhe Qeverinë. Ne nuk jemi për këtë model,” u shpreh Zemaj.

Ai theksoi se mbajtja e dy palë zgjedhjeve nuk është në interes të qytetarëve dhe përbën një rrezik për integritetin e procesit.

“Për ne, një zgjidhje është kushtetuese vetëm nëse mundësohet nga koha dhe zgjidhja e ngërçit. Dy palë zgjedhje nuk i preferojmë, as qytetarët nuk i duan, sepse rrezikojnë me abuzime të mëdha”, tha deputeti i LDK-së.