Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar qasjen e Albin Kurtit dhe të Vetëvendosjes për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke e quajtur letrën e dërguar për takim një formë mashtrimi.

Sipas Zemajt, takime të tilla për një nga institucionet më të larta të Kosovës nuk mund të zhvillohen në këtë mënyrë.

“Përgjigjen që nuk kemi marrë pjesë në takim e gjeni në letrën e Kurtit, letër që është sa për të vazhduar mashtrimin e takimeve të tilla. Takime për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk bëhen në këtë formë, por janë sa për të treguar fuqinë politike, jo për të sjellë zgjidhje brenda Kuvendit, ashtu siç kërkon Kushtetuta dhe vullneti i qytetarëve”, ka deklaruar Zemaj.

Deputeti i LDK-së gjithashtu iu përgjigj akuzave të Faton Pecit, një nga liderët e Listës Guxo, i cili e kishte quajtur LDK-në si shoqëri aksionare.

“I mjeri ai që e ka lëshu LDK-në edhe akoma e ka atë dëshirën dhe vullnetin ndoshta edhe dashurinë për LDK-në por ky është realitet tjetër. LDK ka organet e saj dhe ka deputetët e saj”, ka shtuar Zemaj.

Zemaj theksoi se për përgjigjet e tjera do të shihet në seancë, ku do të kërkohet vota për të pasur 61 deputetë.