Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, në lidhje me menaxhimin e sektorit të shëndetësisë.

Në një konferencë për media, Zemaj ka thënë se qeveria nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, nuk ka aftësi ta menaxhojë shëndetësinë.

Ai e ka kritikuar edhe ndërrimin e shpeshtë të ministrave të Shëndetësisë, duke e përmendur ish-ministrin, Arben Vitia dhe ish-ministrin, Rifat Latifi.

“Qeveria Kurti nuk ka plan as aftësi të menaxhojë me shëndetësi, një ministër e largoi në mes të pandemisë që të fitojë pushtet, ministri i parë i dështuar i cili u largua nga pozita që të kandidojë në komunën e Prishtinës prapë në dështim. Pastaj Kurti caktoi një ministër i cili nuk kishte njohuri bazike të realitetit në Kosovë, si i tillë shumicën e kohës e kaloi në konferenca të ndryshme sikur të mos ishte fare ministër”, ka thënë Zemaj.

Zemaj, tutje ka thënë se në sektorin e shëndetësisë janë realizuar vetëm pesë për qind e investimeve kapitale, derisa po ashtu ka potencuar se nga 15 projekte kapitale të planifikuar kanë filluar vetëm dy.

“Vetëm 5 % investime kapitale në shëndetësi janë realizuar gjatë këtij viti, kjo është mesatare edhe më e tmerrshme sesa mesatarja prej 10% e realizimit të investimeve nga të gjitha ministritë e vendit. Në këtë ministri nga 15 projekte kapitale kanë filluar vetëm dy, të cilat janë vetëm në fazën iniciuese. Qeveria Kurti e ka zvogëluar buxhetin e shëndetësisë 14 deri 15%”, ka deklaruar Zemaj.

Zemaj në konferencë për media i përmendi edhe largimet e profesionistëve shëndetësorë nga vendi, duke e akuzuar qeverinë se nuk është duke i trajtuar ata si duhet.

“Kosova po përballet me largim të profesionistëve shëndetësorë për shkak të pagave të ulëta dhe trajtimit të keq të punonjësve shëndetësorë. Vetëm për 9 muaj të vitit 2022 janë larguar 180 mjekë, që i bie mesatarisht 20 mjekë në muaj. Po ashtu, është rritur numri i kalimit të mjekëve të sektorit publik në atë privat.”, ka thënë Zemaj.

Tutje, Zemaj tha se në mjekimin intensiv 22 anestiziologë e kanë lëshuar punën.