Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka renditur prioritetet e partisë së tij në sektorin e shëndetësisë, duke premtuar investime më të mëdha dhe reforma nëse LDK merr drejtimin e qeverisë.
Në emisionin FIVE, Zemaj tha se një nga projektet kryesore do të jetë ndërtimi i Qendrës së re Klinike Universitare të Kosovës, që sipas tij do të modernizojë sistemin shëndetësor dhe do të rrisë efikasitetin e shërbimeve.
Ai theksoi se prioritet tjetër do të jenë resurset humane, duke premtuar se asnjë mjek i ri nuk do të mbetet pa punë dhe se të gjithë do të kenë mundësi të specializohen në fushat përkatëse.
Zemaj shtoi se ndër prioritetet kryesore të LDK-së mbetet edhe funksionalizimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
“Fillimisht ne do t’i rrisim investimet në sektorin e shëndetësisë. Plani ynë kapital është ndërtimi i qendre të re Klinike Universitare të Kosovës, që do të nënkuptonte modernzimin e plotë, edhe shumë efikas të këtij sektori. E dyta janë resurset humane, asnëj mjek i ri me LDK-në nuk do të jetë i papunë. Asnjë mjek i ri nuk do ta ketë pamundësinë që të zgjedh specializimin në fushën përkatëse”, ka deklaruar ai.
Ai kritikoi edhe qeverisjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti duke akuzuar për keqmenaxhim të parasë publike dhe politizim të institucioneve.
