Në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, te Ermal Panduri, është rrëfyer për herë të parë një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Me emocione të thella dhe zë që dridhej, ajo tregoi jo vetëm për përjetimin e saj tragjik, por edhe për stigmat dhe padrejtësitë që vazhdojnë ta ndjekin atë dhe shumë gra të tjera pas dy dekadash heshtjeje.

“Për mua[kjo mbrëmje, paraqitje] thotë shumë, gjithçka, faleminderit për thirrjen që na keni bërë, edhe ma keni ruajtur pak shpirtin, më fal pak se kam emocione, po më vije keq, por vet po më vije prej shpirtit”, tha ajo duke falënderuar ekipin për hapësirën që i është dhënë.

Ajo i bëri thirrje të gjitha grave që kanë përjetuar dhunë gjatë luftës që të gjejnë forcën për të folur.

“InshAllah more Zot e marin guximin[të dhunuarat] dhe dalin sepse nuk është marre, po ju them të gjithëve se nuk është marre”.

Me shumë qartësi dhe vendosmëri, ajo theksoi se të flasësh për dhunën seksuale nuk është turp, por një akt guximi dhe dinjiteti.

“Jo, është një krenari që ne po e tregojmë çka kemi hequr, inshallah Zoti na ndihmon të gjithëve e na heq këtë mllef që e kemi sepse zemra po na djeg”, ka rrëfyer ajo.

Ajo kritikoi ashpër institucionet e drejtësisë në Kosovë për lirimin e dhunuesve dhe mungesën e dënimit të krimeve të luftës.

“Po inshallah edhe gjykata jon, shteti jonë i dënon more, nuk i liron kështu, po të them marre për ata që e kanë liruar atë ******* të Dubravës çka ka bërë, marre për atë gjykatë, marre edhe për shtet krejt”, është shprehur ajo.

Në rrëfimin e saj ajo nuk u përmbajt as për burrat shqiptarë që nuk e kanë kuptuar vuajtjen e grave të tyre gjatë luftës.

 “E kam dëgjuar edhe atë rast, pas dy viteve që e ka marrë vesh e ka larguar prej shtëpisë. Por ajo është një marri e madhe e atij burri, sepse i kisha thënë atij burri me pas qenë ai aq i mençëm, e aq i zoti, e kish mbrojtë atë grua, por e ka lënë gruan me ia dhunu ********e tash krenohet se po të largojë nga shtëpia. Ai për mua është një ******më i madh se edhe ********** që e ka bërë atë akt. Mua më fort më jet hatri në shqiptarë se në ********* e ka bërë të vetën o burrë. ********* e ka pasur luftën, dhunimin, maltretimin, për t’i shfryrë ato epshet e veta që oi ka pasur në shqiptarë, por shqiptari me ba në shqiptarë, është rrezik. Më e rëndë është shqiptari në shqiptar, më e rëndë është burri me akuzu gruan, se s’ka mundur me rujtë vetën ai, e po e akuzon një femër veç pse po mundesh a. Ka shumë të tillë”, ka rrëfyer ajo.

Panduri ka falënderuar të mbijeturën për kurajën dhe sinqeritetin e saj.

Ky rrëfim është një thirrje e fuqishme për drejtësi, dinjitet dhe përkrahje për të gjitha gratë që janë viktima të një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë — dhe një kujtesë që heshtja nuk duhet të vazhdojë më.