Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me kolegët e tij ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Gjilan, në kujtim e nderim të Heronjëve të Kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, si dhe vizituam familjet e tyre në 40-vjetorin e rënies heroike.

“Kodra e Trimave në Prishtinë mban këtë emër në saje të trimërisë, të guximit e të gatishmërisë për sakrificë të Rexhës e Nuhiut. Ata ishin vazhdimësi e përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin e atdheut”, ka shkruar Haradinaj.

“Këto dy figura të ndritura, ishin përveç motiv për vazhdimësi dhe organizime të tjera e të shumta, ishin edhe paralajmëruesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila e solli lirinë. Emrat e tyre si dhe jeta e vepra e tyre, është pasuri për historinë tonë të lavdishme!”, ka shtuar ai.

Më tej, Haradinaj  ka  vizituar dhe kazermën e Ushtrisë së Kosovës në Gjilan,  ku ai është informuar për punën dhe të arriturat e ushtrisë e FSK-së.

“Të impresionuar, me energjinë e vitalitetin që posedon ushtria jonë! Të motivuar nga trimëria dhe guximi i heronjve si; Nuhiu e Rexhepi dhe e kaluara e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj.

Ndërkohë dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi  i ka përkujtuar heronjtë e kombit.

“4 dekada pa veprimtarët e lëvizjes kombëtare, Rexhep Mala e Nuhi Berisha! Ata ishin ndër trimat patriotë që, nëpër dekadat e përpjekjeve të popullit të Kosovës për çlirim, zemra u rrahte vetëm për Atdhe. Në historinë e lavdisë së Kosovës, që të dy zënë vend në piedestal”, ka thënë Krasniqi.

“Si intelektualë, veprimtarë e organizatorë të aktiviteteve kundër pushtuesit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha frymëzuan breza të tërë të të rinjve e të rejave në luftën për liri”, ka shtuar Krasniqi.

Krasniqi ka përfunduar duke shprehur mirënjohje të përjetshme për veprën dhe sakrificën e tyre.