Profesori universitar Alban Zeneli ka reaguar ashpër pas sulmit ndaj ekipit të TV Dukagjinit në Gjilan, duke kërkuar nga Komuna e Gjilanit që të distancohet publikisht nga incidenti dhe të marrë masa ndaj kompanisë së kontraktuar që po realizon punimet në sheshin e qytetit.
Duke folur në emisionin “Five” në TV Dukagjini, Zeneli tha se ngjarja është shqetësuese jo vetëm për gazetarët, por edhe për shoqërinë në përgjithësi, pasi sipas tij ajo pasqyron një klimë të krijuar prej vitesh ndaj mediave dhe punës së tyre.
“Fatkeqësisht është shumë trishtuese me pa atë se çka ndodh ndaj gazetarëve në terren, konkretisht ndaj kolegëve në Gjilan. Kjo të jep ndjenjën se ende ka njerëz që nuk e kanë të qartë rolin e gazetarit në shoqëri. Duke parë gjuhën e ashpër ndaj mediave nga pushteti aktual dhe nga politikanë të ndryshëm, mund të konkludojmë se tashmë po e shohim atë gjuhë në veprim. Nuk është më vetëm një diskurs politik apo komente në rrjete sociale, por po e shohim ringjalljen e saj në jetën reale përmes formave të ndryshme të dhunës ndaj mediave dhe gazetarëve”, tha Zeneli.
Ai vlerësoi se sulmi ndaj ekipit të TV Dukagjinit duhet të dënohet nga të gjithë akterët institucionalë dhe shoqërorë, ndërsa theksoi se reagimi i parë duhet të vijë nga Komuna e Gjilanit, si institucion që ka kontraktuar kompaninë që po realizon projektin.
“Së pari pres nga punëdhënësi i asaj kompanie, që është Komuna e Gjilanit, të distancohet. Kryetari i komunës duhet të dalë me një qëndrim të qartë. Komuna është punëdhënëse e kësaj kompanie dhe duhet ta bëjë të qartë se veprime të tilla nuk përfaqësojnë institucionin. Një reagim i tillë do të ndihmonte edhe qytetarët të kuptonin se ky është një veprim i gabuar dhe i dëmshëm për lirinë, për lirinë e lëvizjes dhe për të drejtën e punës”, deklaroi ai.
Sipas Zenelit, përveç distancimit publik, Komuna e Gjilanit duhet të shqyrtojë edhe përgjegjësinë morale të kompanisë së kontraktuar.
“Përveç distancimit, komuna duhet të ketë edhe një vërejtje apo masë ndaj kompanisë. Nuk po e paragjykojmë se kush ka faj juridikisht, por përgjegjësi morale ekziston dhe ajo bie si mbi kompaninë ashtu edhe mbi komunën, madje më shumë mbi komunën si institucion publik”, tha ai.
Zeneli tha se një pjesë e problemit lidhet edhe me mungesën e njohurive për rolin e gazetarit në një shoqëri demokratike.
“Zyra e gazetarit është terreni. Gazetari nuk punon vetëm në redaksi. Çdo hapësirë publike që nuk është e ndaluar me ligj mund të fotografohet dhe të xhirohet. Fatkeqësisht, mendoj se një numër i madh i njerëzve nuk e kanë këtë njohuri. Jo vetëm qytetarët, por ndonjëherë edhe institucione apo zyrtarë të ndryshëm nuk e kuptojnë plotësisht misionin e gazetarit dhe të drejtën e tij për të raportuar”, u shpreh ai.
Profesori universitar e lidhi incidentin me atë që e quajti një përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar një narrativë kundër mediave.
“Fatkeqësia qëndron se kjo ngjarje nuk është e izoluar. Ajo është pjesë e një rrëfimi më të madh që mundohet të ndërtohet kundër mediave. Kjo vjen si pasojë e disa konteksteve të ndryshme shoqërore. Ka njerëz që janë rritur në sisteme ku nuk është kuptuar pluralizmi i medias dhe liria e shprehjes. Ka të tjerë që mendojnë se gazetarët i shërbejnë një partie, një politikani apo edhe interesave të huaja. Në fakt, gazetarët në Kosovë i shërbejnë interesit publik”, deklaroi ai.
Zeneli tha se zhvillimet e viteve të fundit kanë bërë që mediat të përballen me sulme dhe etiketime të ndryshme, ndërsa shtoi se puna e gazetarëve në Kosovë mbetet në nivel të lartë profesional.
“Raportimi i gazetarëve në Kosovë është njëri ndër më të mirët në Ballkanin Perëndimor në aspektin e raportimit të pavarur, të balancuar dhe profesional. Gazetarët në Kosovë bëjnë punë jashtëzakonisht të rëndësishme në interes të publikut dhe kjo duhet të vlerësohet, jo të sulmohet”, tha ai.
Sipas Zenelit, mediat dhe drejtësia janë dy prej mekanizmave kryesorë që i shërbejnë interesit publik, prandaj shpesh bëhen objekt kritikash nga pushteti.
“Mediat përmes raportimit me fakte dhe në mënyrë profesionale e objektive e sfidojnë çdo narrativë politike. Ky është funksioni i tyre në një demokraci. Për këtë arsye, sulmet ndaj gazetarëve nuk janë vetëm sulme ndaj individëve, por edhe ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar”, përfundoi Zeneli.