Analisti politik Adrian Zeqiri ka komentuar deklaratat dhe pozicionimin politik të Partisë Socialdemokrate, duke vlerësuar se kjo parti ende nuk ka arritur të krijojë një identitet të qartë politik pas ndarjes nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas Zeqirit, aktivitetet dhe qasja politike e PSD-së vazhdojnë të ngjasojnë me ato të Vetëvendosjes, ndërsa deklaratat e fundit të kësaj partie nuk kanë peshë të madhe në skenën politike.
“Është paksa qesharake. Një parti që nuk ka arritur të krijojë identitetin e vet politik që nga ndarja me Lëvizjen Vetëvendosje. Ende janë me aktivitete që më shumë përngjajnë me ato të LVV-së”, deklaroi ai në emisionin “Five” të Dukagjinit.
Ai tha se opozita po përballet me një parti që “i ka nervat e pushtetit”, ndërsa partitë më të vogla opozitare nuk kanë arritur të fitojnë mbështetje të konsiderueshme elektorale.
Zeqiri sugjeroi që PSD-ja të shqyrtojë mundësinë e hyrjes në koalicione ose bashkimit me subjekte të tjera politike.
“I kisha sugjeruar PSD-së që të hyjë në koalicione ose të shkrihet në parti të tjera, pasi në disa cikle zgjedhore nuk kanë arritur as 1 për qind”, u shpreh ai.
Megjithatë, ai vlerësoi se kuadrot që kanë dalë nga Vetëvendosje dhe PSD kanë njohuri të mira mbi politikat publike dhe qeverisjen, duke shtuar se kontribut më të madh mund të japin përmes një organizimi më të fuqishëm politik.
Në fund, Zeqiri theksoi se partitë opozitare duhet të tregohen më strategjike dhe të shmangin sulmet ndaj njëra-tjetrës për të maksimizuar votën opozitare në zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkohë, drejtori i “Syri i Vizionit”, Veton Mujaj, ka komentuar zhvillimet dhe qasjen e PSD-së në raport me opozitën dhe pushtetin.
Mujaj, ka deklaruar se aktualisht nuk shihet ndonjë mundësi konkrete që PSD-ja të arrijë të imponojë ndryshime në raportet politike opozitë–pushtet, duke shtuar se opozita duhet të jetë më e qartë për qëndrimet dhe bashkëpunimet e mundshme.
Sipas tij, partitë opozitare po vazhdojnë sërish diskutimet me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa mungesa e një marrëveshjeje paraprake po e çon vendin drejt krizave të vazhdueshme politike dhe zgjedhjeve të njëpasnjëshme.
Mujaj tha se, nëse vazhdon kjo situatë, Kosova mund të përfundojë sërish në zgjedhje edhe në muajin dhjetor.

“Pak mu dok interesant se a ka qëllu rastësisht Paris Guri apo me qëllim. Mirëpo e mbajti veten në një farë forme që të mos ketë përballje apo protestë aty para neve. Ideja kryesore është mos përballja fizike me njëri-tjetrin në çfarëdo forme, që të mos kemi raste sikur në Skenderaj”, deklaroi Mujaj.
Ai shtoi se shmangia e kontaktit fizik dhe tensioneve politike është e rëndësishme në situatat kur “gjakrat mund të jenë më të nxehta”.
Sipas Mujajt, PSD po përpiqet të tërheqë votuesit e pakënaqur me opozitën dhe qasjen e saj ndaj pushtetit.
“Po mundohen të përfitojnë tek pjesa e grupit që nuk janë të kënaqur me punën e vazhdueshme të opozitës në raport me pozitën, apo me qasjen jo shumë direkte ndaj pushtetit”, tha ai.
Në fund, Zeqiri theksoi se partitë opozitare duhet të tregohen më strategjike dhe të shmangin sulmet ndaj njëra-tjetrës për të maksimizuar votën opozitare në zgjedhjet e ardhshme.