Në ngjarjen ku flitej për turizmin në Kosovë, kryeministri Albin Kurti, dukej shumë në humor të mirë.
Por, kur përfundoi ngjarja, edhe disponimi i ndërroi, sidomos përballë pyetjes që po i bëhet vazhdimisht, e të cilës iu përgjigj shkurt.
“Jemi në diskutime me kryetarët. Kurdo që ka diçka të re do ju njoftojmë”, ka deklaruar Albin Kurti, kryeministër.
Shumë më gjatë se Kurti, për këtë çështje foli, Glauk Konjufca, i cili u shpreh i gatshëm të heqë dorë nga kandidatura e tij, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje politike.
“Në momentin që opozita e nxjerrë një kandidat, është gjëja e parë që do ta bëja”, ka dekalaruar Konjufca.
Por, një marrëveshje me PDK-në aktualisht sipas Konjufcës është e vështirë.
“PDK, dueht ti nxjerrë emrat në tavolinë. Sepse nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje symbyllazi, sepse në PDK- ka emra të pakapërcyeshëm për neve”, ka deklaruar Konjufca, Kandidat i Vetëvendosjes për President.
Por, sipas deputetit Përparim Gruda, PDK nuk mund t’i nxjerrë emrat pa e pranuar ftesën zyrtare.
“Në PDK kemi shumë personalitete të cilat i plotësojnë kriteret për President. Megjithatë, nuk kemi ende ftesë zyrtare konkrete”, ka deklaruar Gruda.
Kështu, me afatin që po kalon, Gruda vlerëson që përgjegjësinë e ka Vetëvendosje.
“Afati duhet të shfrytëzohet më mirë. Por, Vetëvendosje si partia më e madhe parlamentare, duhet që të arrijë të gjejë formën për zgjedhjen e presidentit”, ka theksuar ai.
Por, nëse afati skadon pa u gjetur zgjidhja, sipas Konjufcës, përgjegjësinë e ka opozita.
“Mund të shkohet në zgjedhje të reja, nëse ky është vullneti i opozitës”, ka deklaruar Konjufca.
Derisa partitë ia hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës, afat për gjetjen e një zgjidhjeje kanë mbetur veç 13 ditë.