Zgjedhja e Sinanit si këshilltare e Kurtit, kundërshtohet në Luginë e në Prishtinë

Emërimi i Afërdita Sinanit, si këshilltare politike e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka hasur në disa kundërshtime në Prishtinë e në Luginë të Preshevës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ardita Sinani





Emërimi i Afërdita Sinanit si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke u kritikuar në Luginë dhe në Prishtinë.

Arsyeja e këtij kundërshtimi është sepse Ardita Sinani nuk është apartiake, por është ende kryetare e degës së Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Preshevë.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Sinani u është përgjigjur kritikave ndaj saj duke thënë se nuk janë të rëndësishëm emrat të cilët i marrin postet, por sipas saj është e rëndësishme hapja e Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

“Emrat e drejtuesve të institucioneve ndërrohen, me rëndësi është të funksionalizohen dhe zhvillohen institucionet. Pra, që tashmë kemi zyre si Luginë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Të punojmë bashkërisht për ta zhvilluar. Krijimi dhe funksionalizimi i infrastrukturës institucionale në shërbim të bashkëkombësve që jetojnë jashtë kufijve administrativë është praktikë e shteteve demokratike; evropiane dhe përtej”, ka thënë ajo.

Sinani e ka përmendur zyrën e Serbisë në Preshevë dhe Beograd, për këtë arsye sipas saj ka qenë e rëndësishme krijimi i një zyre nga institucionet e Kosovës, përmes së cilës do të mundësohet përmirësimi i të drejtave për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ardita Sinani dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Ka 20 vjet që Beogradi ka zyrë, buxhet dhe plan e program për Luginën e Preshevës, madje edhe për Kosovën (serbët e Kosovës). Zyra për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është adresa zyrtare e Republikës së Kosovës për Luginën e Preshevës. Jemi në shërbim të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, pa përjashtim. Lugina e Preshevës ka probleme të shumta për shkak të diskriminimit dhe shtypjes sistematike. Rrjedhimisht bashkërendimi i Republikës së Kosovës me Luginën e Preshevës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Të ecim tutje për t‘i përmirësuar dhe përparuar të drejtat dhe mirëqenien e të gjithëve në Luginën e Preshevës”, është shprehur Sinani.

Emërimin e Sinanit si këshilltare e Kryeministrit të Kosovës, e ka kundërshtuar Shqiprim Arifi, i cili ka thënë se një figurë e tillë nuk i kontribuon unifikimit të shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Arifi ka qenë i ashpër ndaj Sinanit, duke e akuzuar atë edhe për afera korruptive.

“Kjo është si vazhdimësi e inateve politike në Luginë të Preshevës. Personi në fjalë, është kryetare e një partie të vogël në Luginë, është politike, që normal duhet të jetë apolitike. Thua se nuk mund të gjejmë shqiptarë nga Presheva që nuk janë politikë, që do të kishte qenë një faktor unifikues në Luginë për atë person. Në fakt, personi në fjalë është edhe me lëndë korruptive”, ka thënë ai.

Arifi e ka quajtur të pamundur bashkëpunimin me Zyrën për Luginën e Preshevës, për shkak të emërimit të Sinanit në këtë pozitë.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi

Sipas tij, për emërimin e saj ka pasur ndikim direkt ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu.

“D.m.th., Liburn Aliu me Vetëvendosjen kanë vendosur që Ardita Sinanin ta emërojnë në këtë pozitë, nuk ka qenë një vendim që Qeveria e Kosovës e ka konsultuar me ne. Për këtë arsye është skandaloz dhe është e pamundshme të bashkëpunosh me këtë institucion shumë të mirëpritur”, ka thënë Arifi.

Kryetari i Preshevës ka theksuar se në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ka shumë figura të tjera apartiake, të cilat sipas tij do ta kryenin punën më mirë sesa Ardita Sinani.

Emërimi i Sinanit si këshilltare të Kurtit, Arifi ka thënë se është bërë nga inati e urrejtja që kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë për të.

Po ashtu, një arsye tjetër sipas tij, është se Ardita Sinani është familjare e Liburn Aliut.

“Kjo ka qenë vetëm nga urrejtja dhe nga inati, për mua Qeveria dhe Albini ka rënë në një nivel shumë subjektiv dhe shumë të thjeshtë, të mos them në nivel të çerdhes, ka qenë vetëm inati dhe ka qenë vetëm një dashamirësi që ia ka kryer Liburnit, sepse e ka familjare Arditën”, ka thënë ai.

Njohësi i rrethanave politike të rajonit, me prejardhje nga Presheva, Latif Mustafa, e ka cilësuar lajm të mirë hapjen e Zyrës Koordinuese për Luginë të Preshevës, edhe pse sipas tij “nuk jemi të njoftuar rreth mundësive, strategjisë dhe afateve brenda të cilave do të funksionojë kjo zyrë”.

Kurse emërimin e Ardita Sinanit si këshilltare politike për këtë pozitë, Latifi e ka cilësuar si problematike, për shkak të përkatësisë së saj politike.

Njohësi i rrethanave politike të rajonit, me prejardhje nga Presheva, Latif Mustafa

“Sa i përket përzgjedhjes së zonjës Ardita Sinani si këshilltare politike dhe koordinatore e zyrës për Luginë të Preshevës, krijon turbullira dhe paqartësi në lidhje me referimin ndaj hierarkisë politike në Luginë të Preshevës, meqë siç e keni përmendur edhe ju, Ardita Sinani është kryetare e degës së Partisë për Veprim Demokratik dega në Preshevë”, ka thënë Latifi për Portalin Dukagjini.

Tutje, Latifi është shprehur se kryeministri i Kosovës ka bërë gabime në hapa sa i përket emërimit të Sinanit në pozitën e këshilltares për Luginën e Preshevës, për shkak se kjo e fundit nuk ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetares së e degës së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë.

“Partia e saj e themeluar në fillim të viteve të 90-ta është parti si motër me Lidhjen Demokratike të Kosovës – LDK dhe deri vonë ka qenë në akordancë të plotë me të. Veprimi në hapa i kryeministrit të Kosovës ka qenë i gabuar. Ai ka proklamuar fillimisht këshilltaren politike tek më vonë – siç shihet në deklaratë – flet për themelimin e zyrës për Luginë të Preshevës. Nëse z.Kurti vërtetë ka vendosur ta marrë pranë vetes znj.Sinani pa dhënë dorëheqje nga partia, e ka të vështirë ta imponojë si autoritet në qarqet politike në Preshevë dhe e gjithë kjo do të krijojë një situatë tejet të rëndë, që edhe ashtu është e rënduar”, ka thënë ai.

“Shqiptarët dhe partitë Shqiptare në Luginë të Preshevës janë të lidhura me partitë politike në Kosovë, në këtë sens problemet ndërpartiake në Kosovë do bëhen probleme edhe të partive në Preshevë, gjitjashtu, siç mund të bëhen problem edhe fraksionet politike problem në qeverinë e Kosovës. Uroj që kjo zyrë dhe përzgjedhja e znj.Ardita Sinani t’i sjellë të mira Luginës, por veprimet arbitrare lënë për të dëshiruar”, ka vijuar ai.

Hap të gabuar e të dëmshëm e ka cilësuar edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, emërimin e Ardita Sinanit si këshilltare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Çitaku ka thënë se nuk ka asgjë personale me Ardita Sinanin, madje sipas saj edhe e ka mbështetur publikisht pasi ishte shkarkuar nga detyra e kryetares së Komunës së Preshevës. Por, sipas Çitakut, ajo nuk do të duhej të emërohej në këtë pozitë për shkak se ajo nuk është apartiake.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

“Asgjë personale me zonjën Ardita Sinani (e kam mbështetur edhe publikisht pasi u shkarkua nga detyra muaj më parë), mirëpo emërimi i saj si këshilltare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës është, jo vetëm hap i gabuar, por edhe i dëmshëm”, ka thënë ajo.

Kurse, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, hapjen e Zyres për Luginën e Preshevës e ka quajtur si vendim të Qeverisë Hoti. Ai e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se idetë e LDK-së po i përvetëson si të tijat.

“Albin Kurti promovon si ide dhe vendime të reja diçka që para dy vjetësh Qeveria Hoti i ka marrë”, ka thënë ai.

Driton Selmanaj, Deputet i LDK-së

“Më 28 shtator 2020, Qeveria e Kosovës me qëllim të institucionalizimit të mbështetjes shtetërore për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc ka votuar në mbledhjen e saj për themelimin e kësaj Zyre”, ka vijuar ai.

Emërimin e Sinanit si këshilltare e Kurtit e kanë përshëndetur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka, ka thënë se angazhimi i kuadrove nga Lugina e Preshevës është traditë që e ka filluar Qeveria Haradinaj 2.

Blaka ka thënë se partia e tij beson se Sinani do ta kryejë punën siç është më së miri dhe se sipas tij nuk duhet të ketë përçarje, sidomos për këtë temë.

“E përshëndesim emërimin e zonjës Ardita Sinani në ZKM. Është një traditë që nga qeveria Haradinaj 2 angazhimi i kuadrove nga Presheva, Medvegja e Bujanoci në detyra qeveritare. Asokohe, shef i Stafit të ZKM ishte Selim Selimi nga Presheva, më vonë edhe ministër i Drejtësisë”, ka thënë Blaka për Portalin Dukagjini.

Lulezim Blaka, zëdhënës i AAK-së

“Ne besojmë sinqerisht se zonja Sinani do të kryejë punën e saj si është më së miri, e do të ketë bashkëpunim me tërë faktorin shqiptar andej kufirit. Asnjëherë nuk është koha që shqiptarët të përçahen, përkundrazi, qeveria duhet të vazhdojë me donacionet dhe kujdesin e posaçëm për komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ashtu si në kohën e Qeverisë Haradinaj”, ka vijuar ai.

Portali Dukagjini ka tentuar ta marrë një prononcim edhe nga deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, por ai nuk ka kthyer përgjigje.





Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika