Zgjedhjet në veri – AKK-ja dhe IKD-ja e vlerësojnë “antikushtetues” Udhëzimin Administrativ

Udhëzimi Administrativ që ka nxjerrë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës për largimin e kryetarëve të komunave nga detyra, po cilësohet si “antikushtetues” nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ndërsa nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) thonë se problemet politike nuk mund të zgjidhen me akte nënligjore

Udhëzimi Administrativ që ka nxjerrë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës për largimin e kryetarëve të komunave nga detyra, është antikushtetues dhe tendencë për prolongim të proceseve, vlerësojnë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Ndërsa nga Asociacioni i Komunave të Kosovës thonë se problemet politike nuk mund të zgjidhen me akte nënligjore.

Udhëzimi Administrativ, i cili është bërë publik këtë javë, parasheh fillimisht inicimin e një peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse dhe nënshkrimin e tij nga 20 për qind e votuesve të asaj komune.

Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se Udhëzimi Administrativ për zgjedhjet në veri, nuk është në pajtim me Ligjin.

“IKD e ka thënë që ky udhëzim administrativ fatkeqësisht është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk mundet që mandati i një kryetari të komunës të përcaktohet ose të rregullohet me një udhëzim administrativ”, ka thënë Miftaraj për EO.

Sipas tij, ky ligj duhet të bëhej me kritere të qarta, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta zbatonte në praktikë.

“E dimë që e kemi ligjin për vetëqeverisje lokale, por në mënyrë që procedurat, kriteret dhe kushtet për largimin e kryetarëve përmes iniciativave nga qytetarët, ne besojmë që do të duhet të bëhej së paku me ligj, të kishte kritere të qarta, procedura, në mënyrë që pastaj të kishte mundësi në njëfarë mënyre edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta zbatonte atë në praktikë”.

Sipas tij, Qeveria po bën përpjekje për ta penguar këtë proces, para se të ofrojë zgjidhje.

“Përmes udhëzimeve administrative, më shumë bëhet përpjekje e Qeverisë për ta prelonguar këtë proces sesa për të ofruar një zgjedhje, e cila pastaj do të ishte e përkrahur edhe nga partnerë ndërkombëtarë”, ka thënë tutje Miftaraj.

Qëndrim kundër Udhëzimit Administrativ ka shprehur edhe drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ai ka thënë se shkarkimi i kryetarit duhet të ketë arsye.

“Ligji për vetëqeverisje lokale, përkatësisht neni 72 i këtij ligji, është shumë i qartë sa i përket inicimit të procedurave për shkarkimin e kryetarit të komunës. Udhëzimi Administrativ nuk ka paraparë diçka më shumë sa i përket rëndësisë së procedurave sesa e përcakton ligji për vetëqeverisje lokale. Për çdo inicim të një procedure për shkarkimin e një kryetari të komunës duhet me pas alibi se përse ai kryetar duhet të shkarkohet. Nuk mundesh me filluar një iniciativë qytetare pa pasur alibi se përse don ta shkarkosh kryetarin, a ka bërë diçka dëm shoqëror apo çka ka bërë në mënyrë që të iniciohet procedura për shkarkim”,ka thënë Ibrahimi për EO.

Ibrahimi ka thënë se Kosova e ka Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, dhe si e tillë mund të iniciojë largim të kryetarëve. Ai deklaron se situatat politike në veri nuk mund të zgjidhen me akte nënligjore.

“Këto janë tri gjëra, së pari duhet arsyeja të jetë se përse dëshiron me iniciuar shkarkimin e një kryetari, e dyta kush do ta nënshkruaja peticionet që nevojitet 20 për qind e trupit elektoral. Pastaj hapi i tretë që me akt nënligjor nuk mundesh me bë zgjidhje politike. Këto janë ato të cilat neve mendojmë që pa dakordancë politike mes palëve të përfshira në problematikë e cila Kosova që disa vite është duke e kaluar, nuk mendoj që mund të ketë zgjidhje. Problemet politike nuk mund të zgjidhen me akte nënligjore. Gjithashtu është shumë me rëndësi që të sqarohet për publikun që nëse dikush fillon procedurën e shkarkimit të një kryetari të komunës përmes peticionit, kjo do të marrë kohë, nuk mund të kryhet për një kohë të shkurtër. Minimumi është paraparë një muaj ditë vetëm mbledhje e nënshkrimeve, e pastaj përcjellja ne KQZ, kjo mund të marrë me muaj të tërë”, ka thënë tutje Ibrahimi.

Shija e redaktorit

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Kamberi: Pas Malit të Zi edhe Maqedonia e Veriut po...

Analisti politik, Belgzim Kamberi, ka thënë se fitorja bindëse e VMRO-DPMNE-së, nuk është lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor dhe as për Bashkimin Evropian...

Të fundit nga rubrika