Zgjedhjet në veri: Kërkohet interpretim për kandidatët e asamblesë që morën 0 vota
Pas certifikimit të kryetarëve të zgjedhjeve komunale në veri, KQZ ka diskutuar për rezultatet e asamblesë për katër komunat. Çështja që ngjalli diskutim në mes të anëtarëve të KQZ-së, është për kandidatët të cilët nuk kanë marrë asnjë votë. Sami Hamiti, përfaqësues i LDK-së në KQZ, tha se ka dilema dhe duhet interpretim për kandidatët […]
Pas certifikimit të kryetarëve të zgjedhjeve komunale në veri, KQZ ka diskutuar për rezultatet e asamblesë për katër komunat.
Çështja që ngjalli diskutim në mes të anëtarëve të KQZ-së, është për kandidatët të cilët nuk kanë marrë asnjë votë.
Sami Hamiti, përfaqësues i LDK-së në KQZ, tha se ka dilema dhe duhet interpretim për kandidatët që kanë zero vota.
“Kemi dilema për interpretim për kandidatët që kanë zero vota, është mirë t’i certifikojmë përqindjet, por duhet të kemi interpretim. E kemi diskutuar gjerë e gjatë, ka mbetur që t’i certifikojmë rezultatet dhe të marrim interpretim. Ka dilema se ka zbrazëtira në ligj”, ka thënë ai.
Kurse, Alban Krasniqi nga LVV tha se këtë çështje e rregullon neni 8 i ligjit për zgjedhje lokale, dhe se sipas tij, mandatet për asamble fitohen sipas koeficientit që fitojnë partitë nga renditja e tyre.
“Neni 8 i ligjit për zgjedhje lokale, nëse i referohemi pikës A, B, C, D, mundeni t’i vëreni që mandatet fitohen sipas koeficientit që fitojnë partitë nga renditja, kjo sqaron çdo gjë. Ligji është i qartë, vota për subjektin është kryesorja, për kryetarin është sekondare, është hapësira që t’i japim qytetarëve të vendosin përmes votës që kujt duan brenda asaj liste t’i japin vota më shumë. Neni tetë thotë se nuk kemi të drejtë të veprojmë ndryshe, përpos t’i ndajmë mandatet”, ka thënë ai.
Krasniqin e ka kundërshtuar Iliri Gashi, përfaqësues i PDK-së në KQZ, i cili tha se duhet të certifikohen vetëm kandidatët që kanë marrë vota e jo ata që nuk e kanë asnjë votë.
”Konsideroj që duhet t’i certifikojmë subjektet dhe kandidatët që kanë marrë vota, dhe shkojmë tutje me certifikim. Personalisht nuk mundem të votoj një njeri që ka zero vota, është e pamundshme. Nuk e jep ligji, nuk ka legalitet e legjitimitet. Ne duhet t’i lexojmë emrat e secilit, një nga një duhet t’i certifikojmë kandidatët”, ka thënë ai.















