Zgjidhja për Kuvendin, presidentja Osmani sërish thërret liderët e partive
Herën e parë nuk arriti të ndikojë në zhbllokimin e situatës në Kuvend. Por presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani edhe një herë tjetër do të tentojë t’i qojë liderët e partive politike drejt një zgjidhjeje për tejkalim të ngërçit politik. Nga zyra e presidencës, nuk kanë dhënë detaje për ftesat, por pas seancën, kryetari i […]
Herën e parë nuk arriti të ndikojë në zhbllokimin e situatës në Kuvend.
Por presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani edhe një herë tjetër do të tentojë t’i qojë liderët e partive politike drejt një zgjidhjeje për tejkalim të ngërçit politik.
Nga zyra e presidencës, nuk kanë dhënë detaje për ftesat, por pas seancën, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, konfirmoi se ka të mërkurën, do të jetë në presidencë.
“Po, kam pranuar ftesën, besoj nesër është takimi edhe unë do të jem aty… Qëndrimi njëjtë që e kemi pasur gjithmonë, ka dy tre muaj që po mundohemi me gjet zgjidhje me ofru kompromise për me dal prej kësja situate por shpresojmë që e njëjta gjë të ndodhë siç nuk ka ndodhur deri tash nga LVV-ja nesër do jem prap nga presidentja”, ka thënë Krasniqi.
Ndonëse deri në mesditë nuk kishin pranuar ftesë, gadishmëri treguan edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Shkojmë kurdo që të marrim ftesë dhe bën mirë që na mbledh Presidentja dhe bën mirë që të ketë qëndrim për këtë çështje”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha të mos ketë marrë ftesë për takim, por deputetja Time Kadrijaj tha se presidentja duhet të marr më shumë rol në këtë çështje.
“Tash e lexova që ka ftesa për liderët e partive politike për takim me presidenten. Ndoshta duhet të merr rol më shumë presidentja, mirëpo duhet të jetë tepër e qartë edhe e saktë, sepse ne po e shohim që LVV-ja po e interpreton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ashtu siç po i konvenon vetë. Po besoj që do t’i përgjigjemi kërkesës dhe do të marrim pjesë në takim”, ka thënë Kadrijaj.
Gatishmëria u shpreh edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por kërkuan që nga takimet, të ketë rezultate.
“Ne jemi të gatshëm që të marrim pjesë në takimet e radhës të ftuara nga presidentja Osmani, nuk përjashtojmë asnjëherë që të ketë takime që ftohene dhe nga kryetari Kurti, meqë edhe aktgjykimi i Kushtetueses e obligon partin e parë që të thërras takime me qëllim të konstituimit të Kuvendit, por është e pakuptimt që të shkosh në takim e të mos bësh asnjë lëvizje…”, ka thënë deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu.
Presidentja Osmani fillimisht i mblodhi liderët e partive parlamentare më 15 maj, takim që nuk ndryshoi rrjedhën e dështimeve, ndërsa pas aktgjykimit të Gjykatës Kushteutese, është lënë e hapur mundësia që të kërkohen sqarime shtesë nga gjykata.















