Dy pjesëtarë të ushtrisë së SHBA-së janë raportuar të zhdukur gjatë një stërvitjeje ushtarake në Marok, ka bërë të ditur Komanda Afrikane e SHBA-së (Africom).
Sipas njoftimit zyrtar, ushtarët po merrnin pjesë në stërvitjen shumëkombëshe African Lion 2026, e cila organizohet çdo vit për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet forcave amerikane, aleatëve të NATO-s dhe vendeve afrikane.
Ata janë raportuar të zhdukur të shtunën pranë zonës stërvitore Cap Draa, afër qytetit Tan-Tan në Marok.
Autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi, ku po marrin pjesë forca tokësore, ajrore dhe detare nga SHBA-ja, Maroku dhe vende të tjera partnere, raportom BBC.
“Fokusi ynë mbetet tek ushtarët e përfshirë dhe familjet e tyre”, thuhet në deklaratën e Africom, duke shtuar se rasti është ende nën hetim dhe kërkimet po vazhdojnë.
Stërvitja “African Lion”, më e madhja e këtij lloji në kontinentin afrikan, zhvillohet në disa shtete, përfshirë Marokun, Ganën, Senegalin dhe Tunizinë.
Në të marrin pjesë rreth 5 mijë ushtarë nga mbi 40 vende, si dhe dhjetëra kompani partnere nga SHBA-ja. Ajo ka nisur më 27 prill dhe pritet të përfundojë më 8 maj.