Zhdukja e disa mostrave të rastit të vdekjes së Astrit Deharit, e ka lënë Institutin e Mjekësisë Ligjore pa disa prej drejtuesve kryesorë.

Pas pezullimit nga puna të katër zyrtarëve në Institut, dorëheqjen për Radio Televizionin Dukagjini e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i këtij institucioni, Naim Uka.

“Po, po kam dhënë dorëheqje morale të parevokueshme prej pozitës së zëvendësdrejtorit, si rezultat i situatës së krijuar në lidhje me rastin që veç e kemi si informacion”, ka thënë Uka.

Uka nuk ka dashur të jap më shumë detaje për rastin, e as për dorëheqjen.

“Rasti me të gjitha informacionet është duke u trajtu prej Prokurorisë së Shtetit. Në momentin që Prokuroria i fillon hetimet, çdo deklarim mund të vlerësohet si ndërhyrje në hetime”, ka shtuar Uka.

Nga e enjtja, kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e denoncoi publikisht rastin e zhdukjes së mostrave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, hetimet i ka nisur Prokuroria Speciale.

Në IML, sipas ish-Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari, nuk është hera e parë që ndodhin raste të ngjashme.

“Sa i përket Institutit, po ka pasur raste edhe më herët në praktikën time, nga ajo që mbaj mend, në situata në të cilat ka pasur defekte të mëdha edhe në protokollin e zbatimit të praktikave që ata do të duhej t’i bëjnë, mirëpo ka pasur edhe raste në të cilat janë humbur provat ose është tentuar të humben gjurmët, ose ka pasur konkludime që nuk kanë qenë profesionale që ta bëjnë një opinion për Gjykatën ose për institucionin i cili e ka trajtu një rast të tillë”, ka thënë Jashari.

Hilmi Jashari, ish-avokat i Popullit

Jashari thekson se dorëheqja, nuk duhet të ndikoj në hetimet që po kryhen ndaj personave të dyshuar.

Ndërkohë, gjatë ditës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që edhe vet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të dorëhiqet pas rastit.

“Dorëheqja e ministres së Drejtësisë është minimumi i përgjegjësisë së saj për atë rast dhe për plot raste të tjera paraprake”, ka thënë Shkëmb Manaj nga LDK-ja.

Shkëmb Manaj, LDK

Kërkesë të njëjtë për dorëheqje të ministres Haxhiu ka pasur gjatë së enjtes, edhe Partia Demokratike e Kosovës.