Zhijovin Nesiq dënohet me 15 vjet burgim për dhunim gjatë luftës
Zhijovin Nesiq është dënuar me 15 vite burgim pasi u shpall fajtor për krime lufte të kryera gjatë konfliktit në Kosovë. Ai u dënua konkretisht për dhunim seksual ndaj një gruaje të nacionalitetit shqiptar, gjatë periudhës së luftës. Gjykimi ndaj Nesiq është mbajtur i mbyllur për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Vendimi për dënimin e […]
Zhijovin Nesiq është dënuar me 15 vite burgim pasi u shpall fajtor për krime lufte të kryera gjatë konfliktit në Kosovë. Ai u dënua konkretisht për dhunim seksual ndaj një gruaje të nacionalitetit shqiptar, gjatë periudhës së luftës.
Gjykimi ndaj Nesiq është mbajtur i mbyllur për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Vendimi për dënimin e tij është marrë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Aktgjykimi u shpall të martën nga gjykatësja Violeta Namani-Hajra, e cila tha se Nesiq është fajtor se në bashkëkryerje me pjesëtarë të panjohur të forcave serbe, ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”,.
Gjykatësja Namani-Hajra tha se në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 5 mars 2024. Me aktvendim të veçantë, të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Dënimi me burgim, të akuzuarit Nesiq do t’i ekzekutohet kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Po ashtu, gjykatësja tha se e dëmtuara kishte identifikuar të akuzuarin Nesiq pranë Komisionit për hetimin dhe zbulimin e krimeve të luftës. Të njëjtën gjë, tha se e ka bërë edhe pranë Policisë në procesverbalin mbi identifikimin e të dyshuarit.
Po ashtu, e dëmtuara kishte identifikuar Nesiqin edhe në Gjykatë dhe Prokurori.
“Dëshmitë e të dëmtuarës gjejnë mbështetje në dëshmitë e dëshmitarëve okularë A.A., H.A., dhe H.H., ku nga këto dëshmi, Gjykata ka vërtetuar se Zhivojin Nesiq me përdorimin e dhunës fizike dhe psiqike dhe veprimeve çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj femrës së nacionalitetit shqiptar. Dhe me këto veprime të kundërligjshme, Zhivojin Nesiq ka kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor dhe është dënuar sipas ligjit”, tha Namani-Hajra.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pasi aktgjykimi të pranohet me shkrim nga palët në procedurë.















