Bislim Zyrapi nuk e vazhdoi krejt ditën e sotme dëshminë e tij ku tani po merret në pyetje nga mbrojtjet e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krejt pa asnjë shpjegim, vazhdimi i seancës pas pushinit të drekës, që zakonisht është nga ora 14:00 deri në 15:15, nuk ndodhi. Dhe për këtë, nuk u dha asnjë përgjigje.

Në fillim të seancës në mengjes, u shtrua një çështje që ngjall dyshime të mëdha për mënyrën e menaxhimit të gjykimit atje.

Kur seanca po fillonte, avokatja e Jakup Krasniqit, Venkatesëari Alagendra, ngriti një çështje rreth trajtimit të klientit të saj.

“Zoti Krasniqi ka pasur një kollare sot në mëngjes dhe ia kanë hequr. A mund të na thotë dikush pse i është hequr kollarja zotit Krasniqi sot paradite?”

Gjyqtari Charles Smith u përgjigj se nuk e di pse ka ndodhur kjo.

“Të jem i sinqertë, as që e kam haberin për këtë, por do të interesohem dhe do t’ju them, do të interesohem”.

Më pas, avokatja shtoi se Krasniqi e ka bartur më herët në sallë këtë kravatë.

“Sa për procesverbal, zoti Krasniqi këtë kollare e ka veshur edhe herë të tjera në sallën e gjyqit, a mund ta dimë arsyen pse i është hequr kollarja?”.

Pas kësaj çështjeje të ngritur, seanca vazhdoi normalisht me pyetjet e avokatëve Luka Misetic e Ben Emmerson.

Por, kur seanca shkoi në pushim të drekës, ajo nuk vazhdoi më dhe për këtë nuk u dha asnjë shpjegim.

Në rrjete sociale qarkulluan dyshime se kjo po ndodh për shkak të debateve rreth heqjes së kravatës së Krasniqit.

Gjykata e lëshoi një njoftim se seanca vazhdon pasdite, por ajo ishte vetëm dhjetë minuta dhe e tëra në seancë private. Nuk u dha deri më tash asnjë njoftim për publikun se cfarë po ndodh në Speciale.