Zjarret përfshijnë Spanjën, Gjermaninë dhe Kanadanë, mijëra persona evakuohen

Vala e zjarreve vazhdon të përfshijë disa vende të Evropës dhe Amerikës së Veriut, duke shkaktuar dëme të mëdha, evakuime masive dhe angazhimin e qindra ekipeve të emergjencës.

Në Spanjë, flakët kanë përfshirë veçanërisht provincën verilindore të Zaragozës, ku janë djegur rreth 12 mijë hektarë tokë. Më shumë se 1100 persona janë evakuuar, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarrit.

Për shkak të përhapjes së flakëve janë evakuuar pesë komuna në Zaragoza dhe një tjetër në rajonin fqinj të Navarrës. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar rreth 400 zjarrfikës dhe 19 avionë.

Situata mbetet e rëndë edhe në provincën veriore të Guadalajara-s, ku zjarret kanë djegur rreth 900 hektarë pyje dhe bimësi, duke shkaktuar evakuime dhe kufizime në disa zona të banuara.

Një tjetër vatër zjarri në veri të Madridit ka shkatërruar rreth 700 hektarë tokë dhe ka detyruar evakuimin e disa zonave.

Edhe Gjermania po përballet me zjarre të mëdha. Në Parkun Kombëtar Mueritz, helikopterët e zjarrfikësve janë angazhuar për të hedhur ujë mbi një zonë pyjore prej rreth 320 hektarësh.

Zjarri në këtë zonë ka nisur në një ish-poligon ushtarak në territorin e ish-Gjermanisë Lindore, ku prania e municioneve të pashpërthyera ka vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të zjarrfikësve.

Autoritetet kanë paralajmëruar se shpërthimet e vazhdueshme e bëjnë shumë të rrezikshme hyrjen në disa pjesë të zonës. Erërat e forta kanë ndihmuar përhapjen e flakëve, duke detyruar evakuimin e komunës Granzin, me rreth 360 banorë.

Zjarret kanë prekur rëndë edhe Kanadanë, ku ky sezon është karakterizuar nga qindra vatra aktive në të gjithë vendin. Më shumë se 100 prej tyre konsiderohen ende jashtë kontrollit.

Mijëra banorë në Ontarion veriore janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet po punojnë për kufizimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e zonave të rrezikuara.

Tymi i dendur nga zjarret ka mbuluar pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara, nga rajoni Midwest deri në verilindje të vendit. Zyrtarët amerikanë kanë këshilluar banorët të qëndrojnë brenda sa herë që është e mundur për shkak të cilësisë së dobët të ajrit.

Kushtet e rrezikshme kanë prekur edhe zonën metropolitane të New York-ut, vetëm pak ditë para finales së Kupës së Botës.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika